“Ndragheta”/ U mbështet nga klani mafioz, përfundon në pranga kryebashkiaku në Itali

18/01/2021 12:09

49 persona kanë përfunduar në pranga gjatë operacionit blic kundër ‘Ndrangheta në Rosarno, Polistena dhe Anoia të Italisë.

Karabinierët e komandës rajonale të Reggio Calabria, në përfundim të hetimeve të koordinuara si pjesë e operacionit të quajtur “Faust”. Akuzat kundër të ndaluarve janë ato të pjesëmarrjes në një shoqatë të tipit mafioz. Në mesin e tyre është dhe kryetari i bashkisë së Rosarno, Giuseppe Idà, si dhe një këshilltar bashkiak i së njëjtës komunë, Domenico Scriva. Për të dy, u caktua masa e arrestit shtëpiak.

Sipas hetuesve, Ida dhe Scriva kanë pasur mbështetjen e klanit Pisano, të njohur si “djajtë e Rosarnos”. Në këmbim, premtonin punësime të personave të besuar të grupit kriminal në strukturat bashkiake.Ndër akuzat e ngritura janë ato të shkëmbimit elektoral politik-mafioz, trafik droge, armëmbajtje pa leje, vrasje e mbetur në tentativë, fajde dhe mosrespektim i dënimit. Drejtësia italiane e ka vënë në shënjestër Ndranghetës ndaj të cilës ka nisur dhe një proces i madh gjyqësor. Mafia kalabreze, anëtaret e së cilës mund të lëvizin lirshëm në hije, konsiderohet tejet e rrezikshme mjaft e vështirë për t’u monitoruar.

Top Channel