“Vetëm përralla tregojnë”/ Kryemadhi takon banorët në Peqin, zgjidhja që ofron për problematikat e tyre

16/01/2021 13:52

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi ka udhëtuar drejt Peqinit ditën e sotme për tu takuar me banorët, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për taksat e larta dhe mungesën e subvencioneve, të cilat e kanë penalizuar bujqësinë.

Kryemadhi tregoi bisedën me një çift arsimtarësh, të cilët i takoi para se të mbërrinte tek banorët dhe i thanë se është e dobët cilësia e mësimdhënies tek fëmijët. Ndër të tjera, kryetarja e LSI-së i vuri theksin problemeve në infrastrukturë dhe papunësisë.

Monika Kryemadhi: Nga eksperienca ime që kam pasur edhe më parë, peqinasit janë njerëz punëtorë, të cilët çdo ditë e më shumë i përkushtohen punës së tyre, tokës së tyre, ashtu sikurse edhe nga ana tjetër e kanë shumë të pamundur mbijetesën përsa i përket taksave të larta, mungesa e subvencioneve për ata që merren me bujqësi, por nga ana tjetër brenda qytetit problem është mungesa e rrugëve dhe infrastrukturës.

Pak para se të vinim këtu ishim në një kafe brenda në qytet, ku u takova me dy mësues rastësisht, ishin çift burrë e grua, të cilët po flisnin për problemet e arsimit dhe u shprehën se cilësia e mësimdhënies te fëmijët është shumë e dobët.

Sot është një ditë me diell, por bën shumë ftohtë, një nga ditët më të ftohta të vitit dhe balta ka ngrirë dhe nuk e ndjen në këmbë, por problemet janë të përditshme, por jo vetëm këtu në Peqin, por edhe në çdo cep të Shqipërisë, pavarësisht se fasada mund të jetë e ndryshme për shkak të ngjyrës, për shkak të zonës, për shkak të mentalitetit, por problematike është e njëjta: Taksa të larta, mungesa e vendeve të punës, paga të ulëta dhe të papaguara. Po ashtu kemi edhe mungesën e autoritetit të shtetit për ti ndihmuar qytetarët e saj.

Një prej banorëve shprehu shqetësimin që kishte në lidhje me investimet dhe gjendjen e rrugëve që e cilëson “të tmerrshme”. Vështirësitë ekonomike i ndjejnë edhe bizneset, një pjesë e madhe e të cilëve janë mbyllur për shkak të mungesës së konsumit. Sa i përket fshatit, thotë se është lënë në harresë pasi Peqini shënon 1-2 viktima çdo ditë, por nuk rezultojnë askund në listat e shtetit.

Banori i Peqinit: Kjo është hera e parë që një lider partie ulet me qytetarët në Peqin, është rast unik. Sikurse e thatë dhe ju Peqini është lënë krejtësisht larg vëmendjes së shtetit, sidomos këto tetë vitet e fundit, është një gropë shumë e madhe ekonomike.

Monika Kryemadhi: Kam kuptuar që investimet në zonë janë nga vetë qytetarët, nuk janë investime të ardhura nga shteti. 

Banori i Peqinit: Ju e keni parë vetë rrugën, është gropa-gropa si në Kandahar. Të mendosh që një rrugë në mes të Shqipërisë është në këtë gjendje, është e tmerrshme. Në tetë vite këtu s’ka pasur asnjë investim, shteti këtu është inekzistent, varfëria, papunësia këtu është e tmerrshme. Një pjesë e madhe e bizneseve janë mbyllur, sepse nuk kanë fare konsum.

Monika Kryemadhi: Fabrika e vajit të ullirit më thanë që kanë falimentuar sepse nuk kanë mundur as të shesin prodhimin, as tu përgjigjen dot fermerëve, ndërkohë që këtyre të fundit u ka ngelur produkti pa shitur.

Banori i Peqinit: Fshati është një tjetër problem i Peqinit, sepse Peqini, pjesa e jugut të Shkumbinit është zonë bujqësore kryesisht, por nuk ka pasur asnjë subvencion, asnjë projekt zhvillimi, asnjë ndihmë, me ato vështirësi kanë mbijetuar. Problemi kryesor i Peqinit është se është i izoluar komplet. Edhe rrugët që u bënë nuk i dhanë asnjë frymëmarrje. Është lënë tërësisht në harresë. Në Peqin ka tre muaj që vdesin çdo ditë 1-2 persona që nuk figurojnë në listat e shtetit. Kështu që Peqini ka nevojë për dorë, duhet të ndryshojë sepse e meriton. Peqini po braktiset, të rinjtë po ikin jashtë. Pasi nuk ka asnjë shpresë. Kështu që 25 prilli nuk do të jetë thjesht një reagim nga qytetarët e Peqinit, por nga këto halle, nga këto realitete le të marrë jetë ditët e mira për Shqipërinë, sepse e gjithë Shqipëria është në ditë të zeza. Ne nuk kemi zgjedhje të reja, kemi referendum popullor, pasi shqiptarët duhet të marrin në dorë vendin e tyre.

Në fjalën e saj, Kryemadhi i premtoi se do të krijojnë një infrastrukturë dhe plan pune për shitjen e produkteve dhe ndihmën ekonomikë që duhet ti jepet zonave përreth Peqinit. Gjithashtu foli për mungesën e një shkolle të mesme bujqësore, e cila sipas kryetares së LSI-së, do ti krijojë mundësi fermerëve që të bëhen të aftë për ti shërbyer tokës së tyre.

Banori i Peqinit: Së pari ju falënderojmë për ardhjen këtu në Peqin, pasi është hera e parë sikurse e thamë dhe më parë. Problemet në zonën tonë janë shumë të thella. Këtu ka mbaruar çdo gjë. Prodhimi ka qenë i bollshëm për prodhimin e vajit të ullirit, për ullirin por mungon tregu. Varfëria është e tejskajshme.

Monika Kryemadhi: Shteti prandaj funksionon për të krijuar tregun që ti të garantosh shitjen e prodhimit.

Banori i Peqinit: Po por shteti është inekzistent dhe asnjë ndihmë nuk i ka dhënë bujqësisë. Nafta është shumë e shtrenjtë dhe nuk është bërë asnjë lloj subvencionimi. Këto që dalin nëpër televizione janë vetëm përralla që i tregojnë këtij populli. Prandaj, duhet të ndryshojnë të gjitha. Rrugët i patë vetë, nuk është bërë asnjë lloj investimi. Investimet që janë bërë kanë qenë që kur ka qenë PD dhe LSI në pushtet kur u bë diçka dhe që nga ajo kohë këtu, në këto tetë vitet e fundit, nuk është vënë dorë fare, për asgjë.

Monika Kryemadhi: Ne duhet të angazhohemi dhe çfarë marrim përsipër ndaj njerëzve, sepse nuk është thjesht ideja për të hyrë dhe për të bërë propagandë, por ne duhet ti japim zgjidhje problematikave të këtyre banorëve. Ne duhet të krijojmë një infrastrukturë dhe një plan pune për shitjen e produkteve, por edhe garantimin e tregut dhe ndihmën ekonomike që duhet tu japim të gjitha zonave përreth Peqinit, si Pajova apo Karina etj. Para disa kohësh mbaj mend që një nga problemet që ka pasur e gjithë zona  e Pajovës apo Karinës ishte çështja e miut të arrave dhe nuk merrej përsipër të dezinfektohej toka, duke çuar në prishjen e produkteve. Dhe gjithashtu një tjetër problem është mungesa e një shkolle të mesme bujqësore që të krijojë mundësi fermerëve për të trajnuar dhe mësuar për të qenë të aftë dhe për ti shërbyer tokës së tyre.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA