Drejtuesit e kamionave po përballen me vonesa të theksuara në përpunimin e kontenierëve të mallrave në portin detar të Durrësit që ndikojnë në procesin zinxhir të lëvizjes së mallrave te porositësi i mallit dhe hedhja e tyre në treg për të mbuluar nevojat e konsumatorit.
“Katastrofë, nga mungesa e stekave. Kjo na pengon, bllokon. Punohet vetëm me një stekë gjithsej dhe askush nuk pyet. Puna në terminal është shumë e dobët dhe menaxhimi i punës. Vetëm tani kam mundur të mbaroj dhe të vazhdoj tranzit për Fier. Keqmenaxhim i situatës për shkaqe teknike, pasi mjetet i kanë me defekte dhe probleme. Kjo shkakton shumë probleme”, thotë një drejtues trajlerash.
Transportuesit shprehen se me kalimin e shërbimit të ngarkim-shkarkimit nga koncensionari te shteti, vonesat janë shtuar, për shkak të mungesës së mjeteve funksionale të përpunimit në terminal, duke e vështirësuar situatën.
“Shqetësimi ynë është se po vuajmë shumë me ngarkim-shkarkimin e kontenierëve. Edhe kur e kishte privati kishim probleme, po jo kaq shumë. Kërkojmë të zgjidhet pasi dhe puna jonë është zinxhir. Nuk kapim dot as doganën. Rriten kostot e kemi humbje pune. Ka personel, po nuk kanë mjete. Mjetet që janë aty duhet të riparohen. Ne duam të mbarojmë punë shpejt”, thotë Gentian Leka me profesion transportues.
Mungesa e mjeteve shkakton probleme dhe në përpunimin e anijeve.
“Ne kemi pritur gjithnjë, po jo me orë të tejzgjatura. Ka probleme dhe në shkarkimin e anijeve, pasi mjetin e kanë larguar nga shkarkimi i anijes për të ngarkuar kamionët. Këtu ngarkohet jo vetëm për gjithë Shqipërinë, po dhe Kosovën e Maqedoninë.”
Pas shqetësimit të ngritur, Autoriteti Portual Durrës bën me dije se sot në terminal janë në punë dy elektrovinça, 4 mjete të përpunimit të kontenierëve dhe situata është drejt normalizimit, megjithatë transportuesit kërkojnë zgjidhjen e këtij problemi për të realizuar në një kohë më të shpejtë procesin e ngarkim-shkarkimit të konteinerëve në portin e Durrësit.
Top Channel