Qeveria e Kosovës në detyrë njoftoi ndryshimin e masave për mbrojtje nga pandemia COVID-19 në Kosovë. Sipas masave të reja, qytetarëve në komuna me rrezik të lartë nga përhapja e infeksionit u ndalohet lëvizja nga ora 21:30 deri në orën 05:00. Këtu përfshihen Prishtina, Fushë-Kosova, Mitrovica e Veriut, etj.

Në këto komuna deri më tani qytetarëve iu ndalohej lëvizja nga ora 20:00. Po ashtu, në këto komuna, operatorët ekonomikë, qendrat tregtare dhe shërbimet e gastronomisë lejohen të punojnë nga ora 05:00 deri në 21:00.

Në komunat me rrezik të mesëm dhe të ulët nuk është e kufizuar lëvizja e qytetarëve, kurse puna për operatorët ekonomikë është e kufizuar deri në ora 22:00. Personave mbi moshën 65 vjeç në të gjitha komunat iu lejohet dalja jashtë shtëpisë vetëm gjatë orarit 06:00 – 10:00 dhe 16:00 – 19:00. Sipas vendimit, në hapësira të mbyllura ndalohet grumbullimi i qytetarëve në numër prej më shumë se 30 personave, kurse në sheshe publike parqe dhe vende publike, lejohet grumbullimi deri në 50 persona.

Sipas Qeverisë, procesi arsimor në institucionet parauniversitare, publike dhe private, fillon me datë 18 janar dhe organizohet sipas planit të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Qeveria po ashtu, me propozimin e Ministrisë së Shëndetësisë, ka miratuar vendimin sipas të cilit “autorizohet ministri i Shëndetësisë për negocimin e kontratës për vaksina COVID-19 për furnizim”.

Nga ministria e shëndetësisë, më herët është thënë se ka marrë rikonfirmimin nga kompania amerikane, Pfizer për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Megjithatë Pfizer nuk e konfirmoi një marrëveshje me Qeverinë në detyrë të Kosovës, duke thënë se janë në diskutime me Qeverinë dhe se këto diskutimet janë konfidenciale.

Top Channel