Fitore dhe kryesim bindës +9/ Vllaznia vazhdon me “përrallën” e bukur

15/01/2021 21:19

Vllaznia shtoi një tjetër kapitull në përrallën e bukur të këtij sezoni në futbollin shqiptar, pasi mori një fitore të vështirë por me vlera ndaj Kukësit 0-1. Shkodranët ruajtën kryesimin komod në kategorinë Superiore, pas triumfit minimal ndaj verilindorëve në një stadium neutral si Elbasan Arena.

Pas një fraksioni të parë me rrjeta të paprekura, Vllaznia mori epërsinë me një aksion pa shumë pretendime. Goditja nga distanca e Markut dhe përgjigja e Tafës që la për të dëshiruar, ishin kombinimi i duhur për finalizimin nga Kalaja që aty pranë prishi ekuilibrat. në minutën e 70 Kukësi iu afrua barazimit por në zhvillimet e një goditjeje këndi, sfera e Hetemajt u ndal nga shtylla. Deri në fund shifrat nuk ndryshuan më. Vllaznia ruan kryesimin me 9 pikë më shumë se ndjekësja më e afërt, Teuta.

Kjo e fundit mundi 2-0 Bylisin në stadiumin Niko Dovana, dhe është e vetme në vendin e dytë, në pritje të sfidantëve të shtunën. Vila i dha epërsinë durrsakëve pas një vendosjeje të keqe në prapavijë nga ballshiotët që u ndëshkuan pikërisht kur mendonin se rinisën një kundërsulm. Rrjeta e dytë e bregdetarëve erdhi nga Gruda.

Të shtunën luhen 3 sfidat e tjera të Superiores, Skënderbeu-Partizani, Tirana-Kastrioti dhe Apolonia Laçi.

 

Top Channel