Bujar Osmani viziton Athinën/ Dendias: Zbatimi i marrëveshjes së Prespës kusht për të mbështetur integrimin në BE

15/01/2021 04:31

Kreu i diplomacisë greke Nikso Dhendias e ka pritur homologun e tij nga Maqedonia e Veriut Bujar Osmani menjëherë pas takimit të tij me presidenten e Greqisë Katerina Sakelaropoulou, që hapi një sërë takimesh me udhëheqjen e lartë greke në Athinë, në qendër të të cilave ishte progresi i marrëdhënieve bilaterale pas Marrëveshjes së Prespës, situata në rajon dhe perspektiva evropiane e vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Pothuajse dy vjet pas hyrjes në fuqi të Marrëveshjes, ka nevojë për më shumë përparim ka deklaruar ministri i Jashtëm Dhendias duke theksuar se duhet të ketë zbatim dhe përdorim të qëndrueshëm të emrit dhe terminologjisë nga të gjitha institucionet publike dhe private, përfshirë faqet e internetit, si dhe ka kërkuar heqjen e diellit të Verginës nga të gjitha hapësirat publike dhe ndryshimin e emrave të rrugëve dhe institucioneve që mbajnë ende emrin e vjetër.

‘Greqia është e gatshme të ofrojë ndihmë teknike në mënyrë që të mbështesë përpjekjet e ndërmarra nga vendet e Ballkanit Perëndimor në përpjekjet për anëtarësim në BE. Por në këtë kontekst, më lejoni të theksoj se mënyra për të siguruar progresin që ne kërkojmë është zbatimi i plotë, i qëndrueshëm dhe ne mirëbesim i marrëveshjes së Prespës’- tha Dendias.

Gjatë takimit, dy ministrat e Jashtëm nënshkruan tre Memorandume të veçanta, të Bashkëpunimit në fushën e Edukimit Diplomatik, në sektorin e Mbrojtjes Civile dhe atë të investimeve dhe tregtisë së jashtme mes ndërmarrjeve “Enterprise Greece dhe Invest North Macedonia. Aspekt i rëndësishëm i takimeve ishin edhe efektet e pandemisë, ndërsa Greqia, sipas Dhendias, po bën përpjekje, brenda BE-së, të sigurojë furnizimin me vaksina për Maqedoninë e Veriut dhe vendet e tjera të rajonit.

‘Unë pres që në periudhën e ardhshme, veçanërisht duke ulur masat kufizuese të pandemisë, të forcojmë bashkëpunimin e përgjithshëm të ndërsjellë, si dhe të zbatojmë aktivitetet e përcaktuara në planin tonë të veprimit’- tha Osmani.

Takimi i fundit i vizitës njëditore të z. Osmani në Athinë ka qenë ai me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis i cili i ka shprehur z. Osmani në veçanti kujdesin e Athinës në zhvillimin e bashkëpunimit ekonomik, sektorit energjitik si dhe mbështetjen për perspektivën europiane, duke i theksuar nevojën për zbatimin e plotë, të qëndrueshëm dhe me mirëbesim të Marrëveshjes së Prespës nga ana e Shkupit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA