Video/ Luani mizor luan me derrkucin e egër që qan nga dëshpërimi, e lëpin para se ta vrasë e ta gëlltisë

14/01/2021 16:23

Një luan i ri është filmuar së fundmi duke luajtur me prenë e kapur, një këlysh i tmerruar derri të egër, të cilin e mbante të ndaluar përtokë para se ta vriste e ta gëlltiste në një rezervat natyror në Kenia.

Në pamje shihet luani 120 kilogramësh që zbavitet me derrkucin e vogël para se ta vrasë. Luani duket e kishte vjedhur derrkucin nga një luaneshë që e kishte kapur para tij.

Fotografi Nili Gudhka, 29 vjeç nga Nairobi xhiroi videon në rezervatin  Maasai Mara nga vetëm 20 metra larg.

Në video luani shihet që heziton para se të vrasë derrkucin, madje e lëpin në kurriz teksa kafsha qan e stresuar dhe tenton të largohet.

Por luani e ndalon atë shpejt me putrën e tij dhe më pas e merr në gojë për t’u larguar nga luanesha që vjen për ta marrë për vete.

Nili tha: “Nëna derrkuce arriti të largohej por i vogli nuk kishte shpejtësi. Këlyshi u kap nga luanesha, e cila e ndaloi me putër dhe pushoi për të marrë frymë. Në këtë kohë erdhi luani i ri mashkull që ia mori këlyshin. Kur unë nisa të xhiroja luani po e lëpinte këlyshin që tentonte më kot të largohej”.

“Natyra është brutale, e paparashikueshme. Sado që pamja ishte e rëndë duhet të bëhemi të fortë pasi nuk është puna jonë të ndërhyjmë”.

Sjellja e luanit është e ngjashme me macet shtëpiake të cilat luajnë me prenë e tyre apo dhe me ushqimin.

Luanët njihen për sistemet e tyre të shpejta tretëse dhe janë gati për vaktin e ardhshëm disa minuta pas konsumit të te parit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel