Pro dhe kundër vaksinës/ Shtohen zërat pro bërjes së vaksinës anticovid

14/01/2021 15:37

Ndërkohë që vaksinimi i stafeve mjekësore vazhdon, opinion është i ndarë në dy grupe, ata që duan ta kryejnë vaksinën dhe mezi presin t’u vijë radha, dhe të tjerët që kanë pasiguri dhe mosbesim në këtë proces.

“Patjetër që do ta bëj. Mezi po pres të më vijë radha. Për vetëmbrojtje. Jam 70 vjeç. Lajmet për vaksinimin janë kontradiktore, por unë prirem të dëgjoj, ato që janë pozitive”, thotë një qytetar.

“Me dyshim e kam për ta bërë. Kam dëgjuar që mund të të bëjë keq. Ne nuk e dimë se çfarë vaksine është njëherë. Megjithëse pamë mjekë që vaksinoheshin, prapë nuk jemi të bindur. Këtu tek ne ka lloj-lloj manipulimi, në shëndetësi e kudo“, thotë një tjetër.

“Ta shikoj, se unë jam alergjike, dhe do të konsultohem me mjekun tim. “

“Ne jemi mbi 85 vjeç. Varet se si do të na vijë radha. Patjetër që do ta bëjmë vaksinën, sepse për ne nuk ka rëndësi, nëse ka apo jo pasoja. Edhe pa I parë mjekët, unë do të vaksinohem. “

Nuk e kam vënë ndonjëherë në diskutim bërjen e vaksinës.

“Nuk më jep besim. Plus që e kam kaluar Kovidin, pse duhet ta bëj. Ama për hir të studimeve jashtë unë do ta bëja vaksinën.”

“Për aq kohë sa I ka kaluar disa faza pilotimi dhe ka dhënë rezultate të mira, patjetër që do bërë. Nuk besoj të bëhen eksperimente me popullatën. Ato që thonë doktorët duhen marrë të mirëqena, pasi kemi doktorë shumë të mirë. “

 

Top Channel