Donald Trump

SHBA ka rikthyer Kubën në listën e zezë të shteteve që sponsorizojnë terrorizmin duke cituar mbështetjen e vendit komunist për Venezuelën.

Administrata e presidentit Donald Trump, e bëri njoftimin disa ditë para largimit të tij nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i zgjedhur, Joe Biden, që do të marrë detyrën më 20 janar, ka thënë më herët se do që të përmirësojë marrëdhëniet me Kubën.  Kjo e fundit, e ka cilësuar kthimin në listën e zezë nga Shtëpia e Bardhë, oportunizëm politik.

Biden ka thënë se kërkon lidhje më të ngushta mes kundërshtarëve të hershëm, por vendimi i Trump, ka gjasa të pengojë përmirësimin e shpejtë të marrëdhënieve. Vendosja e Kubës në listë do të kërkojë një rishikim formal që do të dojë muaj.

Ishulli në Karaibe u hoq nga lista nga presidenti Barak Obama në 2015-ën, por Trump mori një qëndrim më të ashpër ndaj vendit. Madje Obama u bë presidenti i parë amerikan që viziton Kubën që nga 1928, kur ai mbërriti në Havana në 2016. Kuba tani i ribashkohet vendeve si Irani dhe Koreja e Veriut, në listën e sponsorëve të terrorizmit. Pasojat mbi ishullin përfshijnë edhe kufizime të ndjeshme të investimeve të huaja.

Top Channel