Sulmi ndaj Kongresit amerikan/ “Tremben” gjermanët, blindojnë me policë parlamentin

11/01/2021 18:33

Pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit amerikan në Uashington, Policia e landit të Berlinit ka shtuar pranin policore me qëllim mbrojtjen e zonës rreth ndërtesës së Reichstagut.

Kjo është raportuar nga gazeta “Bild am Sonntag”, e cila citon një letër nga presidenti i Bundestagut Wolfgang Schäuble (CDU) drejtuar deputetëve të parlamentit gjerman.  Schäuble theksoi në letër, sipas “Bild am Sonntag”, se ai vetë ka kërkuar një raport nga Ministria e Jashtme për trazirat në SHBA dhe se ai “do të sqarojë vetë me qeverinë federale dhe landin e Berlinit, se çfarë vendimesh duhet ndërmarrë për sigurimin më të mirë të Bundestagut nga sulme të ngjashme”.

Të mërkurën, ithtarët e presidentit amerikan, Donald Trump hynë me forcë në ndërtesën e kongresit amerikan, një mësymje kjo që rezultoi me pesë persona të vdekur në rrethana të ndryshme. Politikani i CDU-së e kritikoi këtë si një “sulm ndaj parlamentit dhe demokracisë nga një turmë e mashtruar nga një president që ka humbur zgjedhjet”.  Një zëdhënës i policisë ka njoftuar se masat mbrojtëse për ndërtesat e rëndësishme në kryeqytetin e Gjermanisë do të “përshtaten”. Kjo ka të bëjë me ndërtesën e Reichstagut, por edhe objektet e SHBA-së në Berlin. Duke iu referuar ngjarjeve në Washington, kryeministri i Bavarisë, Markus Söder (CSU) i tha “Welt am Sonntag” se:

“Nga mendimet e këqija vijnë fjalët e këqija, e më pas edhe veprat e këqija. Kjo është arsyeja pse ne në Gjermani jo vetëm që duhet të forcojmë masat e sigurisë për mbrojtjen e institucioneve demokratike, por duhet të mbikëqyrim edhe grupet radikale që mund të krahasohen me ato në SHBA”.

Top Channel