Teksa videot dhe fotot e momenteve të mësymjes së Kongresit amerikane bënë xhiron e rrjeteve sociale, disa prej personave që shihen aty janë identifikuar dhe po humbasin vendet e punës, thotë CNN.

Navistar, një kompani marketing në Maryland, njoftoi se një i punësuar i saj ishte pezulluar menjëherë, pasi u fotografua brenda godinës së Capitol-it, ndërsa mbante edhe bexhën e firmës ku punonte.

“Ne e mbështesim të drejtën e punonjësve tanë për të protestuar paqësisht dhe për lirinë e fjalës, por çdo punonjës që shfaq një sjellje të rrezikshme, duke kërcënuar shëndetin dhe sigurinë e të tjerëve, nuk do ta ketë më mundësinë të jetë me Navistar Direct Marketing,” thuhet në deklaratën e saj.

Zyrtarët amerikanë thonë se shumë shpejt do të ngrihet aktakuza e parë ndaj një personi. Ndërkohë, kreu i FBI-së, Christopher Wray, u shpreh se agjentët e kësaj force po punonin në mënyrë të pandalur për të identifikuar dhe kapur ata që ishin përfshirë në dhunën një ditë më parë, në lidhje me incidentet e papara në historinë moderne të SHBA-së.

Wray tha se FBI-ja po kërkon ndihmë nga publiku për të gjetur keqbërësit. Tashmë shumë pyetje janë ngritur se si siguria për qindra zyrtarë të lartë të zgjedhur në një nga ndërtesat më të ndjeshme të pushtetit të vendit dhe një simbol i demokracisë amerikane mund të ishte aq e pamjaftueshme, edhe pse më herët kishte informata për një tubim të planifikuar. Në një foto që ka qarkulluar në mediat sociale shihet një polic që bënte një foto-selfie me një nga protestuesit, policë të tjerë shiheshin duke mos bërë asnjë rezistencë. Policia lejoi shumë prej atyre që kishin hyrë ilegalisht brenda, të largoheshin pa asnjë pengesë.

Top Channel