Shpërthim në një spital në Napoli/ “Hapet toka”, përpin disa makina

08/01/2021 11:06

Një shpërthim i fuqishëm në një spital në periferi të Napolit, ka bërë që një krater gjigant të hapet në parkingun e tij.

Pavarësisht përmasave të shpërthimit, fatmirësisht nuk ka raporte për persona të lënduar, por disa automjete përfunduan në gropën gjigante. Disa dëshmitarë okularë thonë se toka u hap pas shpërthimit, ndërsa hetimet janë përqendruar te tubacionet e oksigjenit. Mendohet se pikërisht kjo strukturë e nëndheshme mund të ketë qenë shkaku i incidentit.

Ngjarja bëri që të ndërpritej furnizimi i spitalit me energji elektrike, por grupi i gjeneratorëve me të cilët është pajisur për raste emergjencash, bëri që mundur që aktiviteti në ndërtesë të mos ndërpritej. Krateri 2 mijë metra katrorë pranë spitalit Ponticelli ka një thellësi prej gati 20 metrash.

Zjarrfikësit ndodhen në vendngjarje, ndërsa konsiderohet “një mrekulli” që incidenti nuk shkaktoi asnjë të plagosur.

Top Channel