Të paktën një person humbi jetën e tre të tjerë morën lëndime në trup nga shembja e akullit në një ujvarë të ngrirë në lindje të Rusisë.

Një ekip shpëtimi u dërgua te ujëvara 40m e lartë Vilyuchinsky, në gadishullin e Kamchatkas, pasi katër persona u bllokuan atje të enjten. Mes tyre është dhe një djalë e babai i tij. Djali është në terapi intensive me dëmtime serioze. Grupe të tjerë turistësh arritën të largohen në kohë nga vendi, ku ndodhi shembja, e nuk ka pasur raporte për viktima të tjera, thanë burime të Ministrisë ruse të Emergjencave për agjencinë e lajmeve Tass.

Moti i acartë po i afrohet Evropës. Të hënën, dy metra borë ra në rajonin verior të alpeve në Itali, duke bllokuar rrugë e shtëpi të zonës. Vorbulla polare që po afrohet, sipas ekspertëve do ta bombardojë kontinentin e vjetër me të paktën 40 cm borë dhe erëra të acarta. Meteorologia britanike Helen Willetts paralajmëroi për stuhinë që po mbërrin e që do të godasë më shumë sipas saj perëndimin e Evropës me reshje të dendura dëbore, shi e ngrica.

“Stuhia Filomena do të godasë sidomos ishujt Kanarie e Madeirën, por nuk do të anashkalojë as rajone të tjera. dhe nuk do të jetë për një ditë e dy, do të zgjasë shumë”, pohon Willetts.

Dëbora pritet të mbulojë shpejt pjesë të Spanjës, ku Madridi është përballur tashmë me reshje të shumta të saj, si edhe  Portugalisë, ndërsa në zonat qendrorë të Evropës prej ditësh ka ulje temperaturash e reshje shiu, të cilat duket se do të vazhdojnë të paktën deri nga mesi i muajit.

Top Channel