Elvis Presley, misteri i autopsisë/ Kishte një plagë të fshehtë në kokë

08/01/2021 14:22

Nëse gjërat do të kishin qenë ndryshe, Elvis Presley sot do të kishte festuar 86-vjetorin e lindjes.

Por mbreti i muzikës pati një vdekje tragjike gushtin e vitit 1977, kur u gjet i shembur përdhe në banesën e tij pas vitesh të tëra abuzimi me drogën. Presley ishte vetëm 42 vjeç. Ylli, dikur me një formë fizike të lavdërueshme, kishte shtuar shumë në peshë sidomos gjatë muajve të fundit të jetës, kur dendej me ushqime fast food-i, teksa shëndeti i merrte të tatëpjetën. Elvis Presley vuante nga një konstipacion kronik tejet i rënduar, ndërsa shtatë muaj përpara se të ndërronte jetë, i ishin lëshuar receta për pothuajse 9.000 pilula.

Bombardimi me ilaçe, abuzimet disavjeçare me to dhe dieta e pasur me yndyrna, ishin një nga arsyet e konstipacionit të tmerrshëm, i cili sipas mjekëve mund të ketë shtyrë aortën abdominale të këngëtarit legjendar, duke i goditur dhe zemrën. Ndonëse nuk kishte pirë kurrë duhan, ai vuante dhe nga emfizema. Po atëherë, çfarë i shkaktoi problemet e shumta në stomak, mëlçi, zemër, shtyllë kurrizore e sidomos zorrë?

Disa ekspertë besojnë se gjithçka buron nga një dëmtim serioz në kokë që Presley kishte marrë në vitin 1967. Sipas tyre, ajo plagë e fshehtë, e cila u diktua gjatë autopsisë nxiti një çrregullim të madh inflamator të sistemit imunitar, i cili erdhi duke u përkeqësuar me kalimin e viteve.

Top Channel