Britania “blindohet” me vaksina/ I jep dritën jeshile dhe Moderna-s

08/01/2021 14:44

Rregullatori shëndetësor në Mbretërinë e Bashkuar miratoi për përdorim vaksinën e kompanisë Moderna kundër koronavirusit.

Ministria britanike e Shëndetësisë njoftoi se tashmë kanë rënë dakord me kompaninë amerikane që të blejnë edhe dhjetë milionë doza shtesë të vaksinës, ndërsa pret që në pranverë të nisin vaksinimet me të. Me miratimin e vaksinës së kompanisë Moderna, në Angli tashmë ka tre vaksina të miratuara, bashkë me atë të Pfizer/BioNTech si dhe të Universitetit të Oxford-it dhe AstraZeneca-s, që kanë nisur të administrohen.

Në total, Britania ka siguruar 17 milionë doza të kompanisë Moderna dhe të parat pritet të vijnë në pranverë.“Ne tashmë kemi vaksinuar pothuajse 1,5 milion qytetarë në mbarë Mbretërinë e Bashkuar dhe vaksina e Moderna-s do të na mundësojnë që ta përshpejtojmë fushatën tonë të vaksinimit edhe më shumë, kur të na arrijnë dozat e para në pranverë”, tha ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.

Vaksina e kompanisë Moderna thuhet se është 94 përqind efektive në parandalimin e sëmundjes COVID-19, që e shkakton koronavirusi i ri. Kjo vaksinë tashmë është miratuar për përdorim nga rregullatorët në Shtetet e Bashkuara, Kanadasë dhe Bashkimit Evropian.

Top Channel