“Braktisin anijen që mbytet”/ Dorëhiqet Sekretarja amerikane e Arsimit

08/01/2021 11:56

Sekretarja amerikane e Arsimit, Betsy DeVos, u bë anëtarja e dytë e kabinetit Trump që jep dorëheqjen pas sulmit të së mërkurës në Kapitol.

Në letrën e dorëheqjes, DeVos fajësoi presidentin Donald Trump për nxitjen e tensioneve që çuan në sulmin e dhunshëm në selinë e demokracisë së kombit. Ajo thotë se “nuk ka dyshim për ndikimin e retorikës suaj mbi situatën dhe kjo ishte pike kthese për mua”.

Lajmi për largimin e saj u dha fillimisht nga Wall Street Journal.Sekretarja amerikane e Transportit, Elaine Chao, bëri të njëjtën gjë të enjten. Chao, bashkëshortja e liderit të shumicës së senatit, Mitch McConnell, tha se dorëheqja e saj do të hynte në fuqi të hënën. Ajo u shpreh se sulmi “e kishte shqetësuar thellë në një mënyrë që thjesht nuk mund ta injorojë”.

Në një letër lamtumire drejtuar Kongresit në fillim të kësaj jave, sekretarja DeVos u kishte kërkuar ligjvënësve të refuzonin politikat e mbështetura nga presidenti i zgjedhur, Joe Biden dhe të mbrojnë politikat e administratës së Trumpit që demokrati është zotuar t’i eliminojë. I konfirmuar tashmë nga Kongresi amerikan si presidenti i ri i vendit, Joe Biden e bën betimin në 20 janar.

Top Channel