Beteja e 25 prillit/ Basha i beson Elbasanin Gazment Bardhit, Edi Paloka caktohet ne Durrës  

07/01/2021 14:32
Foto ilustruese

Beteja elektorale për 25 prillin pritet të prodhojë surpriza në qarqet e mëdha të vendit, të cilat do të bëjnë edhe diferencën ne rezultat.

Selia blu zbuloi sot emrin e drejtuesit të një ndër qarqeve më të rëndësishme, atë të Elbasanit. Lulzim Basha ka vendosur t’i besojë drejtimin politik të këtij qarku, Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, i cili do të ketë përballë, numrin dy të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Gara bëhet akoma më interesante pas vendimit të Monika Kryemadhit  për të kandiduar në këtë zonë. Edhe përballja në Durrës pritet të jetë e fortë dhe interesante sa u takon emrave.  Kryetari Demokratik vendosi që nënkryetari i  Partisë, Edi Paloka të jetë drejtuesi politik i qarkut të Durrësit, ndërkohë drejtuesi politik i socialistëve i përkohshëm është Edi Rama, pas largimit të Vangjush Dakos.

Edhe LSI ka nisur punën në qarkun bregdetar me dy zyrtarët e saj Elona Guri dhe Bahri Shaqiri. Më herët selia blu caktoi Helidon Bushatin si drejtues politik të Shkodrës, një zonë të cilës pritet të mos i mungojnë surprizat, pasi Jozefina Topalli ka konfirmuar publikisht dëshirën e saj për të kandiduar në këtë qark si kryetare e Lëvizjes  për Ndryshim apo edhe ndikimit të fortë të Tom Doshi në këtë zonë.

Fierin kryedemokrati ia ka besuar sërish Enkelejd Alibeajt ashtu sinë 2017, ndërkohë Vlora, i është besuar Bujar Leskajt.

Top Channel