Numërimi dhe votimi elektronik/ Burime për TCH, ja se ku mund të aplikohet projekti pilot

07/01/2021 10:54

Në zgjedhjet e 25 Prillit në disa zona do të kryhet pilotimi i votimit dhe numërimit elektronik. Partia Demokratike i kërkoi zyrtarisht Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve që sistemet pilot të shtrihen në qarqet Fier dhe Korçë.

Në fund të vitit, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi kërkoi mendim nga të gjitha partitë politike për të përcaktuar se në cilat zona do zhvillohet ky proces.

Deri më tani ka kthyer përgjigje vetëm selia blu, ndërkohë pritet mendimi edhe i Partisë Socialiste dhe subjekteve të tjera të cilat kanë marrë shkresë nga KQZ, si LSI, PR, PDK, PDIU, PSD dhe Bindja Demokratike.

Nëse partitë politike nuk bien dakort, atëhërë vendimin e merr Komisioni Rregullator. Kujtojmë që në 2013, u tentua projekti pilot për numërimin në Fier dhe votimin në Tiranë, por të dyja projektet dështuan.

“Në përgjigje të shkresës suaj nr 2646 datë 28.12.2020, mbi zbatimin e teknologjisë në zgjedhjet e datës 25 prill 2021 për Kuvendin e Shqipërisë ju bëjmë me dije se opinioni i Partisë demokratike është që projekti pilot për votimin dhe numërimin elektronik të realizohet në qarqet Fier dhe Korçë’, thuhet në përgjigjen e PD.

Përgjigjia e PD

 

Top Channel