Në prag të sfidës me Milani nnë “San Siro”, trajneri Andrea Pirlo “humb krahët’, pasi do të udhëtojë drejt kryeqendrës së veriut të Italisë, pa brazilianin Alex Sandro dhe kolumbianin Juan Cuadrado.

I pari rezultoi i prekur nga koronavirusi dje dhe u vendos menjëherë në izolim, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës iu nënshtruan menjëherë tamponëve, nga përgjigjet e të cilëve rezultoi pozitiv edhe kolumbiani Cuadrado.

Ky i fundit pritej të luante titullar, pasi vinte pas një pushimi dy javor, duke qenë se ndaj Udineses mungoi për shkak të pezullimit një javor që i shkaktoi kartoni i kuq i marrë ndaj Fiorentinës në ndeshjen e fundit të vitit të kaluar.

Në krahun e djathtë Pirlo pritet të konfirmojë brazilianin tjetër Danilo, i cili luajti titullar edhe ndaj Udineses, ndonëse këtë herë do të ketë përballë një kundërshtar shumë të vështirë si francezi Theo Hernandez.

Ndërkohë ka dyshime për krahun e majtë, pasi momentalisht në atë rol mund të luajnë vetëm kapiteni Giorgio Chiellini dhe i riu Frabotta, megjithatë vendimin final Andrea Pirlo pritet ta marrë vetëm pak para startit të ndeshjes.

Top Channel