Dhjetëra vetë mbetën të plagosur nga shpërthimi I fuqishëm I një dite më parë, në një lokal të Ferizajt.
Në mesin e tyre ishin dhe të afërmit e Leonora Bekës, e cila jeton në Zvicër, por kishte ardhur të kalonte festat me familjen. Gruaja rrëfeu për mediat në Kosovë se nga ngjarja e rëndë mbetën të plagosur babai i saj, vëllai, mbesa 5 vjeçe dhe nusja që është në muajin e tretë të shtatzënisë.
Leonora shpëtoi se ishte në tualet në atë moment. I vëllai, në gjendje më të rëndë, është në listën e personave që do të dërgohen për kurim jashtë vendit.
“Nusja ka plagë në këmbë e duar. Unë shpëtova krejt rastësisht, vetëm flokët më janë djegur pak. Nusja është në shtatzëni, por fëmija është mirë. Ajo I mban mend të gjitha, vetëm se nuk e di që do t’i dërgojnë në Turqi. Duhet t’i përgatisim për këtë. Falenderoj të gjithë ata që na ndihmuan. 90% është e sigurt që kanë për ta dërguar sot, vëllai im është në atë listë, babai ka për të qëndruar këtu. Unë jetoj në Zvicër, dola me babanë, motrat, vëllezërit për të ngrënë të gjithë bashkë një drekë”, tha Leonora.
Si pasojë e shpërthimit në restorantin “Steakhouse”, në lagjen “Village” të Ferizajt u plagosën 44 persona. Të gjithë të lënduarit janë klientë dhe pjesëtarë të stafit të restorantit dhe ndodheshin në ambientet e brendshme të tij kur shpërtheu bombola e gazit.
Top Channel