“Ngatërroi Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e vilave”/ Veliaj: Situata me PD-në, dramatike

05/01/2021 15:44

Mbi deklaratën e sotme të përfaqësueses së PD-së, Ina Zhupa, sipas të cilës shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit, ndërkohë që zotëron 4 prona të tjera ka reaguar kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.

“Situata me tërmetin serioze, por aspak dramatike. Situata me PD është dramatike, por aspak serioze. Tjetër Lul Ali Aga, tjetër Lul Shaban Aga, e tjetër Lul Gjum Aga,” shkruan kryebashkiaku në Twitter.

Më herët, përmes një reagimi zyrtar, Bashkia e Tiranës publikoi disa dokumente ku rezultonte se PD-ja kishte ngatërruar person dhe se shtëpia në të vërtetë i është ndërtuar Luli Shaban Agës.

“Është fakt i njohur botërisht se Lulzim Basha e ka shndërruar Partinë Demokratike në prodhuese dhe shpërndarëse qesharake ‘fake news’-esh. I mbytur nga dëshpërimi se po përgatitet të humbë sërish zgjedhjet në Tiranë dhe kudo në Shqipëri, Lulzim Basha e ka humbur toruan dhe çdo ditë fabrikon mashtrime të ulëta për procesin e rindërtimit, duke guxuar të tallet me të gjitha familjet që u prekën nga fatkeqësia e tërmetit të 26 nëntorit. Lulzim Basha, njeriu që ka hyrë në histori me nofkën kryebashkiaku i gjumit, i ka mashtruar shtatë herë qytetarët e Tiranës dhe rasti i sotëm është mashtrimi i tetë. Në një deklaratë qesharake të publikuar sot, një spikere e PD-së pretendoi se shtetasi Lulzim Ali Aga nga Vishnja e Vaqarrit, ka përfituar nga programi i rindërtimit dhe po i rindërtohet shtëpia, ndërkohë që sipas saj, ai zotëron 4 prona të tjera”, shkruhej në deklaratë.

Më tej vijonte:

“Lulzim Ali Aga mund t’i zotërojë pronat që pretendon PD-ja, por ky shtetas nuk ka aplikuar asnjëherë për të përfituar nga programi i rindërtimit dhe për pasojë, Bashkia e Tiranës nuk po i ndërton atij shtëpinë. Në Njësinë Administrative Vaqarr në datën 21 shkurt 2020 ka aplikuar shtetasi Luli Shaban Aga, shtëpia e të cilit është klasifikuar e kategorisë DS5, për rindërtim. Njësoj si në rastin e Tatjanës nga Njësia 4, të cilës Lulzim Basha dhe Partia Demokratike i ndryshuan identitetin dhe e bënë Fatime, për të mashtruar qytetarët e Tiranës, edhe sot Luli Shaban Agës i ndërruan identitetin dhe e kthyen në Lulzim Ali Aga për të fabrikuar gënjeshtrën e radhës”.

Për ta përmbyllur me:

“Por, me sa duket, PD-ja ka ngatërruar Lulin hallexhi të tërmetit me Lulin e 4 vilave pas tërmetit. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës nuk kanë lënë pa ndihmuar as edhe një familje që është prekur nga tërmeti i nëntorit, por vijon punën për strehimin e tyre në banesa të reja, të rindërtuara, më të mira e më të sigurta”.

Top Channel