Një nga lehtësirat që një qytet si Tirana duhet t’i ofrojë personave me aftësi të kufizuar është vendi i parkimit. Dhe sot në Tiranë në çdo rrugë dhe në sheshet kryesore ka vende parkimi për invalidët, të kompletuara me sinjalistikë rrugore përkatëse, vijëzime dhe tabelë. Por shpesh herë kemi parë që këto vendparkime zihen edhe nga persona që nuk e gëzojnë statusin e invalidit, edhe pse shkelin me të dyja këmbët ligjin dhe kodin rrugor.

Fiks Fare ndërmori një vëzhgim për të parë se si zbatohet ligji për këtë kategori në kryeqytet. Nga ku rezultoi që në rrugët kryesore të Tiranës vendparkimet dedikuar personave me aftësi të kufizuar ishin të zëna dhe nga automjete që nuk shoqëroheshin me autorizimin përkatës dhe dokument invaliditeti.

Madje edhe në qendrat tregtare vendparkimet për këtë kategori njerëzish, zihen nga njerëz të papërgjegjshëm. Vendparkimet për personat me aftësi të kufizuar përcaktohen qartë në ligjin Nr. 93/2014 për përfshirjen dhe aksesueshmërinë. Ku zakonisht vendet e tyre të parkimit janë në fillim të rrugës apo afër institucionit, apo edhe dyerve për të bërë të mundur aksesin e lehtë në çdo godinë.
Kamera e Fiksit kapi disa nga këto vendparkime në rrugën “Ismail Qemali” , në zemër të ish Bllokut dhe në një qendër tregtare. Në të gjitha rastet vendparkimet e dedikuara për invalidët ishin të zëna nga persona të pa autorizuar për të parkuar mjetin në këto vende. Madje disa u shprehën për Fiksin se nuk e kishin vënë re tabelën dhe menjëherë proceduan me heqjen e mjetit nga vendparkimi i dedikuar për personat me aftësi të kufizuar.

Në rastet kur nuk u gjetën drejtuesit e mjeteve prezent, Fiksi kontrolloi në kroskotin e makinës për autorizimin e lëshuar nga Bashkia Tiranë dhe për dokumentin e invaliditetit, por që në të gjitha rastet mungonte. Përveç tyre mungonte edhe masa që duhet të marrë policia rrugore, apo ajo bashkiake siç është parashikur në ligj dhe në kodin rrugorë.

Fiks Fare pyeti edhe pranë Bashkisë Tiranë për këtë problem. Jonida Fezga, drejtoresh e Drejtorisë së Administrimit të Shërbimit të Parkimit, pranë Tirana Parking theksoi se me hyrjen e vitit të ri edhe bashkia do jetë më e rreptë në marrjen e masave për të gjithë ata njerëz që shkelin ligjin. Ajo shpjegoi se kjo kategori është përjashtuar nga sistemi tarifimit dhe në çdo zonë ku përfshihet sistemi tarifimit ka një vend për personat me aftësi të kufizuar. Znj. Fezga theksoi se edhe vetë invalidët duhet të plotësojnë disa kritere, pasi duhet të regjistrohen në bashki nëpërmjet një formulari që do të vendoset në xham, i cili do të ketë numrin e serisë së lejes , targën e mjetit dhe dokumentin e invaliditetit. Nëse njëra prej tyre mungon, atëherë edhe për këta individë do të merret masë me gjobë siç e parashikon kodi rrugor përfundoi drejtoresha Fezga.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA