Azilantët u kthyen më të varfër/ Mijëra emigrantë nuk fituan azilin, u kthyen edhe gjatë pandemisë

04/01/2021 19:48

Që prej vitit 1990, në vendin tonë janë rikthyer rreth 96 mijë emigrantë.

Një numër shumë i vogël janë rikthyer me dëshirë, pasi pjesa tjetër u riatdhesuan, duke qenë se shtetet ku ata shkuan nuk ia aprovuan azilin. Deri në vitin 2011 u rikthyen rreth 34 mijë emigrantë, ndërsa pas këtij viti shifra pothuajse dyfishohet.

Por vitin që lamë pas edhe pse në kohë pandemie, shtetet e Bashkimit Evropian, rikthyen dhjetëra shqiptarë, të cilëve u ishte refuzuar kërkesa për azil. Një pjesë, kryesisht në periferi dhe fshatra të vendit, do të shisnin shtëpitë edhe kafshët e punës , e për t’u larguar më pas nga vendi si azilkërkues.

Shpresa Metra është një nga shumë qytetarët e vendit, e cila në vitin 2016, iu drejtua Francës së bashku me familjen e saj, me synimin për të qëndruar dhe të kuronin djalin e tyre të sëmurë. Ata qëndruan një vit dhe u kthyen me dëshirë, por rikthimi do të ishte i vështirë.

“Kur u kthyem, burri humbi punën dhe ndenji dy vite pa punë, derisa e rifitoi punën përsëri. Ishte e vështirë ajo periudhë, pasi burri pa punë, vetëm me pensionin e fëmijës, të invaliditetit”, shprehet Shpresa.

Gazetari: Kush aplikonte më shumë për azil?

Shpresa: Kryesisht ata që kishin probleme ekonomike, probleme me gjakmarrjen. Kurse ne shkuam vetëm për punën e djalit.

Do ishte pikërisht 2015-a, ku një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve do t’u drejtoheshin shteteve të Bashkimit Evropian për të kërkuar azil, për arsye nga më të ndryshmet, por kryesisht për shkaqe ekonomike. Por rikthimi për ta qe i vështirë, pasi humbën punën dhe gjithçka me idenë se do të nisnin një jetë të re jashtë vendit, por u kthyen më të varfër seç ikën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA