Ajri dhe Stina në ditën e lindjes i shtojnë dy ullinj Parkut të Liqenit të Tiranës

04/01/2021 13:58

Ajri dhe Stina, vajzat e aktorëve të njohur, Eni Jani dhe Genc Fuga, kanë zgjedhur që ditët e lindjes t’i shënjojnë me mbjelljen e dy ullinjve në Parkun e Liqenit. Nisma e dy vajzave nisën edhe sezonin e ri të mbjelljeve për vitin 2021.

Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se viti i vështirë i pandemisë na mësoi rëndësinë për një jetë të shëndetshme dhe ajrin e pastër, për të cilin duhet të kontribuojmë të gjithë. “Emrat e dy vajzave simbolizojnë pikërisht këtë që po bëjmë sot: fillon një stinë e re dhe kemi nevojë për më shumë ajër! Nga viti që kaloi mësuam se oksigjenin, pemët, parqet nuk duhen t’i marrim si të mirëqena”, shtoi ai.

Veliaj ftoi të gjitha familjet e qytetit që t’i bashkohen stinës së mbjelljeve, jo vetëm të lënë një gjurmë në Tiranë, por edhe për të rritur cilësinë e jetesës në kryeqytet. “I ftoj të gjitha familjet e Tiranës, që ashtu siç po bëjmë me familjen Fuga, me Gencin dhe Enin, nëse kanë dikë për të përkujtuar, një ditëlindje, një përvjetor, kjo është mënyra ideale për të lënë gjurmë në qytet. Ta kthejmë këtë vit, jo si një vit që harrojmë kiametet e 2020-ës, pandeminë dhe tërmetin, por si një vit ku mund të ndryshojmë sjelljen dhe mënyrën se si e trajtojmë qytetin tonë”, u shpreh kryebashkiaku.

Aktorja Eni Jani tha se kjo ditë do të jetë e shënuar në familjen e tyre. “Ishte një mënyrë për të festuar dhe mbajtur mend këtë ditëlindje. Jam e bindur se kjo ditë do shënohet në kujtesën e vajzave. Për shumë arsye, për jetëgjatësinë, por edhe për atë çka përfaqëson, zgjodhëm të mbillnim dy pemë ulliri”, tha ajo.

Familja e artistëve të famshëm kishin dy gëzime, pasi vajza e tyre Ajri festoi një javë më parë ditëlindjen e gjashtë, ndërsa Stina mbushi sot 13 vjeç.

Top Channel