Xhaçka, videokonferencë me ushtarakët në misione: Do jem avokatja më e fortë për çdo efektiv të Forcave të Armatosura

03/01/2021 13:56

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka ka zhvilluar një bisedë online me përfaqësues më të lartë në NATO dhe misionet paqeruajtëse në Kosovë, Afganistan, Letoni, Sudanin e Jugut dhe Bosnje-Hercegovinë.

Veç urimit për festat e fundvitit, ministrja e Mbrojtjes është interesuar edhe për shëndetin e efektivëve dhe familjarëve të tyre, në këto kohë të vështira pandemie.

“Te unë do të keni gjithmonë, përveçse një mike shumë të mirë edhe avokaten tuaj më të flaktë”, u shpreh gjatë bisedës Ministrja Xhaçka, ndërsa shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga çdo efektiv i FA-së, brenda dhe jashtë vendit.

Në takimin online, ku kanë marrë pjesë drejtues të forcave, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, gjeneralmajor prof. asoc. Bajram Begaj, ka siguruar vijimin e vëmendjes për efektivët dhe familjarët e tyre. Aktualisht FA përfaqësohet me 200 efektivë në kuadër të misioneve të NATO-s dhe BE-së në disa vende të botës.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel