Shkaktoi konflikte në vend/ Gjukanovic kthen amendimet e ligjit të fesë

03/01/2021 13:50

Presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanovic nuk i miratoi amendamentet e Ligjit mbi liritë fetare i cili është kritikuar nga serbët etnikë dhe Kisha Ortodokse Serbe.

Kthimi i amendamenteve u bë së bashku me gjashtë ligje të tjera, që u miratuan nga koalicioni qeverisës. Në total, 41 deputetë të koalicioni qeverisës të përbërë nga partitë pro-serbe, i mbështetën amendamentet gjatë votimit në 29 dhjetor, 2020, ndërsa opozita e bojkotoi seancën. Zyra e presidentit tha se është e paqartë nëse numri i nevojshëm i ligjvënësve ishte i pranishëm në parlament gjatë votimit.

Pas kthimit të ligjit për liritë fetare nga ana e presidentit, kryeministri malazez, Zdravko Krivokapiq shkroi në Twitter se ky “gjest i njeriut të parë të shtetit tregon më së miri se si funksionon bashkëjetesa në praktikë”, thotë REL.

Ndërsa zëvendëskryeministri Dritan Abazoviç, përmes një postimi në Twitter, tha se nëse Gjukanovic “shkel Kushtetutën, ne do ta zëvendësojmë atë”. Gjukanovic është në krye të Partisë Demokratike të Socialistëve, që tashmë është në opozitë. Nëse deputetët votojnë sërish për amendamentet, presidenti është i detyruar t’i miratojë ato. Sipas ligjit për liritë fetare, i cili shkaktoi protesta dhe përplasje të shumta në vendin fqinj, pas miratimit vitin e kaluar, komunitetet fetare duhet të dëshmojnë se janë pronarë të pronave para vitit 1918.

Qeveria e re – që doli pas zgjedhjeve të gushtit – ka thënë se do ta ndryshojë ligjin me qëllim që të sigurohet se pronat do të mbeten në dorën e Kishës, që selinë e ka në Serbi.

Top Channel