Sumka: Mijëra migrantë në rrezik jete në Bosnjë

31/12/2020 14:12

Organizata humanitare Care ka vënë alarmin. Refugjatët që banonin në kampin e refugjatëve Lipa ndodhen në rrezik jete.

Mbyllja një ditë para Krishtlindjeve e kampit që ndodhet në verilindje të Bosnjës është “çnjerërore”, thotë drejtoresha për Ballkanin e organizatës humanitare Care, Sumka Bucan. Si pasojë e mbylljes 1.300 refugjatë kanë ngelur jashtë dhe nuk kanë ngrohje. Këta si dhe dy mijë refugjatët e tjerë që kanë jetonin jashtë që më parë, janë lënë pa mbrojtje në borë dhe të ftohtë.

Bucan tregon se disa vetë janë lënë në borë, edhe pse kishin vetëm sandale. Kampi Lipa, “nuk ka qenë vendbanim perfekt”, megjithatë ofronte mbrojtje minimale nga era, shiu dhe bora. Rritja e numrit të migrantëve përbën sfidë të madhe për Bosnjën, por kjo nuk do të thotë se “njerëzit që kërkojnë ndihmë, nuk lejohen të mbrohen nga i ftohti i akullt,” paralajmëron ndihmësja humanitare. Autoritetet lokale dhe ato evropiane duhet t’u ofrojnë ndihmën e përshtatshme njerëzve që presin. “Care kërkon ndihmë pa kushte, ndihmë për të shpëtuar jetët e njerëzve,” thotë Bucan.

Raportuesit tregojnë se migrantët mbulohen me batanije dhe futen në jorganë kampingu, për t’u mbrojtur nga i ftohti përcëllues. Në video shihet se si të pastrehët ngrohen në zjarret e ndezur përjashtë. Disa migrantë mbajnë maska për t’u mbrojtur nga corona. Një migrant pakistanez që e ka emrin Kasim thotë: “Ne jetojmë si kafshët. Edhe kafshët jetojnë më mirë se ne. Po nuk morëm ndihmë do të vdesim.”

Edhe një vakt të ngrohtë

Sipas informacioneve të televizionit gjerman ARD, vetëm Kryqi i Kuq boshnjak dhe disa ndihmësa shpërndajnë batanije dhe një vakt të ngrohtë çdo ditë. Nga rrethet e organizatave humanitare thuhet se njerëzit duhet të ishin dërguar me autobusë në kampe të tjera, se ku nuk është e qartë, sepse tri kampet e tjera që ndodhen në rajon janë të tejmbushura.

Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), e pati mbyllur më 24 dhjetor kampin e pranimit në Lipa. Rreth 1.300 refugjatë ndodhen tani në rrugë, i tha Natasa Omerovic, kordinatorja e kampit portalit të lajmeve klix.ba.

IOM e pati kërkuar më parë mbylljen e kampit, sepse megjithë dimrin e vështirë, kampi nuk ishte i lidhur në rrjetin e rrymës elektrike dhe furnizimit me ujë. Në shenjë “lamtumire” disa nga refugjatët e mbetur pa strehë u vunë flakën çadrave dhe kontenjerëve.

As ujë, as rrymë

Në kohën kur plasi zjarri, kampi ishte pothuajse bosh, shkruante Peter Ban der Auweraert, shefi i misionit IOM për Bosnjën. Kurrkush nuk u lëndua. Zjarrfikësit arritën ta shuanin zjarrin. Kampi Lipa ndodhet në një vend që nuk përdoret për ndonjë funksion, 25 kilometra në juglindje të Bihacit. Ai u ngrit në muajin shtator, kur autoritetet boshnjake mbyllën kampin Bira, që ndodhej në periferi të Bihacit.

Nga kjo masë u mor që migrantët dhe refugjatët të zhdukeshin nga imazhi i qytetit me 60 mijë banorë. Por autoritetet nuk e mbajtën premtimin për ta lidhur kampin Lipa me rrjetin e rrymës dhe të ujit. Kjo për “arsye kryesisht politike”, thotë përfaqësuesi i IOM. Gjendja e deritanishme e banorëve të kampit vlerësohet si “skenar traumatik”, thotë Auweraert. Këta njerëz duhet të futen në një vend të ngrohtë për ditët e festave, ashtu si pjesa tjetër e Europës.

Ndihmësit e refugjatëve kritikojnë gjendjen çnjerëzore në kamp. Organizata austriake SOS, e quante rrugën ballkanike të refugjatëve, “Moria që ndodhet para pragut së shtëpisë”, duke aluduar për kampin e refugjatëve në ishullin grek të Lesbos, i cili u dogj në muajin shtator. Kantoni boshnjak Una Sana ndodhet direkt në kufirin me Kroacinë, pra me Bashkimin Europian.

Rajoni ka forcë të madhe tërheqëse për refugjatët dhe migrantët. Nëpër Bosnjë kalon një nga degët e të ashtuquajturës rruga ballkanike, nëpërmjet të cilës migrantët dhe refugjatët mundohen të kalojnë nga Turqia për në Europën Perëndimore. Kohët e fundit, Bashkimi Europian e pati cilësuar “alarmante” gjendjen e refugjatëve në Bosnjë. Që nga viti 2018, BE i ka dhënë Bosnjës 85,5 milionë euro ndihmë për të përmirësuar gjendjen e refugjatëve./DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA