Shtëpia, qendra e festës/ Mënyrat e reja për të bërë biznes edhe në kushtet e izolimit

31/12/2020 15:31

Përtej vështirësive, ky vit i ka fokusuar njerëzit te detajet. Të gjithë do të festojnë në shtëpi në ambientet e familjes, pranë njëri-tjetrit dhe do të kujtojnë ditët e vështira që ky vit solli për të gjithë, por pavarësisht të gjithave porositë për festat janë përqendruar te detajet.

“Në fakt të gjithë kanë pasur vështirësi, disa kanë humbur njerëzit e tyre, disa kanë kaluar ditë të tëra në spitale, disa kanë humbur lidhjet me biznesin dhe disa kanë falimentuar. Por ishte viti i vetëm mund të them që na marrin në telefon dhe na kërkojnë t’u rregullojmë shtëpinë ose tavolinën festive. Është e çuditshme sepse në fundviti dilnim në lokale për të dekoruar e festuar ndërsa tani festa është zhvendosur brenda te familja”, shprehet Ollga Paguna, organizatore eventesh.

Besohet se fokusi te dekori, dritat, ndryshimi i rutinës edhe brenda banesës janë në gjendje të na largojnë nga e zakonshmja e të na bëjnë më të lumtur

Ky vit solli ide kreative që u materializuan që me riciklimin dhe dekorimin e objekteve të vjetra deri te personalizimi elegant i dhuratave.

“Mendova të bëj globe të personalizuara siç ju thashë të punuara në dorë. Është një top i thjeshtë i mbetur nga viti i kaluar, të cilin do ta vesh me velvet të ngjyrave të ndryshme sipas kërkesave të klientëve. Për ta bërë më të veçantë gratë gjirokastrite ma kanë qëndisur materialin në makinat e qëndisjes”

Ollga që ka pasur vit pas viti mundësi të përballet me sjelljen dhe kërkesat e veçanta të njerëzve për festat beson se ky vit na ka sjellë më afër, na ka bërë të çmojmë çdo ditë atë që kemi dhe jetojmë e të mos harrohemi aq shumë në plane afatgjata.

“Meqenëse po dëgjojmë e po jetojmë shumë unë them se çdo vështirësi vjen që të na provojë sa të fortë jemi, sa besim kemi në vetvete, sa besim kemi tek Zoti, tek njëri-tjetri, prandaj le të shijojmë atë që kemi tani, familjen që është gjëja më e çmuar”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA