India u bë vendi më i fundit i botës që konfirmoi raste të variantit të ri të koronavirusit më të transmetueshëm.

Varianti që u identifikua fillimisht në Britaninë e Madhe, ka mbërritur tashmë edhe në Korenë e Jugut, Kanada dhe në shumë vende evropiane. Shefi i OBSH-së bëri thirrje ndërkohë për intensifikim të studimit të sekuencës gjenetike të koronavirusit pas zbulimit të varianteve të reja.

Ai tha se, “vetëm nëse vendet shqyrtojnë dhe testojnë në mënyrë efektive, do të jenë në gjendje të zbulojnë variantet dhe të hartojnë strategjitë për t’i përballuar ato”. OBSH po punon me shkencëtarët për të kuptuar të gjitha ndryshimet e virusit dhe ndikimet e tyre, por duhet që vendet e veçanta të ndajnë çdo të dhënë gjenetike me OBSH-në dhe vendet e tjera. Të hënën, Finlanda dhe Koreja e Jugut raportuan rastet e para të variantit të ri të koronavirusit. Një shtetas finlandez, i cili u kthye nga Britania në vendin e tij kohët e fundit për pushimet e Krishtlindjes u diagnostikua me variantin e ri, sipas zyrtarëve finlandezë.

Koreja e Jugut ka zgjatur ndalimin e fluturimeve direkte me Britaninë deri me 7 janar pasi tre persona që kishin hyrë në vend kohët e fundit rezultuan pozitivë me variantin e ri. Japonia, e cila njoftoi rastin e parë të variantit të ri të virusit javën e shkuar, e ka ndaluar hyrjen e të gjithë të huajve jo-rezidentë që nga mesnata e së hënës deri në fund të janarit. Indonezia po ashtu ndaloi përkohësisht shtetasit e huaj që futeshin në atë vend për dy javë, në përpjekje për të ndaluar përhapjen e variantit të ri të virusit. Arabia Saudite zgjati mbylljen e saj javore në të gjitha portet si rezultat i variantit të ri. Ndërkohë në Shtetet e Bashkuara hyri në fuqi të hënën vendimi që u kërkon të gjithë pasagjerëve që vijnë nga Britania që të testojnë negativ për COVID-19 brenda 72 orësh para nisjes.

Top Channel