Rama: Vaksina vjen në janar/ Ofertën ruse për vaksinën, kryeministri e quan provokim qesharak

29/12/2020 15:11

Kryeministri Edi Rama thotë se Shqipëria falë përpjekjeve intensive politike e diplomatike, është shumë afër nënshkrimit të një marrëveshje për vaksinën antiCovid.

“Vaksinimi brenda janarit. Jemi në diskutime me AstraZeneca-n dhe Moderna-n; shumë shpejt do të finalizojmë marrëveshjen me Pfizer-in. Shumë shumë pranë finalizimit të një marrëveshje të shkruar. Ekipi ynë me Pfizer merr dhe çon drafter me Pfizer-in. Proces i komplikuar, kërkesa gjigante, oferta e kushtëzuar. Ambicia jonë mos të mbetemi asnjë minutë pas të tjerëve për të nisur vaksinimin në janar”.

Ndërsa ofertën e ambasadës ruse për të sjellë në Shqipëri vaksinën Sputnik, kryeministri e quajti provokim qesharak.

“Mendova se ishte një meme ajo e Rusisë. Për një shtet serioz e papërshtatshme të bëjë provokime të tilla. Provokim qesharak. Ambasada të sillet si një seksion i Portokallisë. Shpreh keqardhje për këtë, nuk shoh arsye që ambasada të përfshihet në prodhim memesh. Për momentin ne jemi të fokusuar 3 kompani. Pa asnjë paragjykim do të shohim edhe alternative të tjera”.

Në konferencën tradicionale për mediat  të fundvitit, kryeministri i bëri edhe një bilanc rindërtimit.

“450 kompani shqiptare, 25.000 punëtorë të punësuar. 158 objekte arsimore, 1000 shtëpi hapin dyert deri pasnesër. 2500 shtëpi përfundojnë në mars”.

Të larguarve nga sistemi drejtësisë përmes vetingut, Edi Rama u dërgoi një kartolinë aspak  të gëzueshme se çfarë i pret në  2021-shin.

 

 

Top Channel