Muri i shpresës në Nju Jork/ Qytetarët shkruajnë dëshirat për vitin 2021: Të ikë Covid-i

29/12/2020 12:32

Nju jorkezët kanë shkruar dëshirat e tyre për vitin 2021 dhe i kanë vendosur ato në atë që njihet si muri i shpresës, në Times Square.

Por ky mur shprese, ngjason më shumë me një mur vajtimi këtë vit. Lutje që Covid-19 të ikë, mall për familjet, mungesë dashurie…të gjitha dëshirat shkruhen në copëza të vogla letre, që në momentet e ndërrimit të viteve do të lëshohen mbi Times Square.

“Paqe për të gjithë ata që humbën dikë për shkak të Covid-19”, shkruhej në një copëz letre të vendosur në mur. “Jo më Covid”, shkruhej në një tjetër. Ndërsa dëshira e një tjetër personi, ishte e thjeshtë: Të jetoj…

Dëshirat do të bien poshtë kur topi i famshëm i Vitit të Ri në Nju Jork do të bjerë në mesnatë për të shënuar fillimin e 2021-shit. Vetëm se këtë vit, për të parën herë që nga konceptimi, topi do të zbresë në një Times Square thuajse të zbrazët. Në vend të festës tradicionale, që zakonisht tërheq më shumë se një milionë njerëz, ceremonia do të jetë virtuale për shkak të rritjes së infektimeve me koronavirus.

Top Channel