Biden akuzon Departamentin Amerikan të Mbrojtjes: Po pengon tranzicionin

29/12/2020 12:24

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden ka akuzuar departamentin amerikan të mbrojtjes për papërgjegjshmëri, pasi nuk i ka dhënë ekipit të tij informacionet që i nevojiten për tranzicionin e pushtetit.

Ai tha se ekipi i tij ishte përballur me pengesa nga lidershipi politik. Biden po ashtu tha se agjenci të rëndësishme për sigurinë e SHBA-së, kanë pësuar dëme të jashtëzakonshme nën drejtimin e Donald Trump. Biden do të marrë detyrën më 20 janar, por presidenti trump nuk ka pranuar ende humbjen. Për javë të tëra pas zgjedhjeve të 3 nëntorit, Bidenit nuk iu dhanë informacionet e inteligjencës, një pjesë kjo normale e rutinës në një tranzicion presidencial.  Pasi Trump më në fund pranoi të lejonte procesin formal të tranzicionit, muajin e kaluar, Biden përgëzoi Shtëpinë e Bardhë për ndihmën në proces. Por tonet e tij ndryshuan të hënën kur Biden foli për bllokadë në departamentin e mbrojtjes dhe zyrën e menaxhimit dhe buxhetit.

“Në këto momente ne nuk marrim informacionin që na nevojitet nga administrata në largim në zona kyçe të sigurisë kombëtare. Në këndvështrimin tim kjo nuk është asgjë tjetër përveçse papërgjegjshmëri”, tha Biden.

Presidenti i zgjedhur shtoi se ekipi i tij ka nevojë për një panoramë të qartë për pozicionin e shteteve të bashkuara në skenën globale dhe se kundërshtarët e vendit mund të shfrytëzojnë çdo konfuzion që mund të pasojë nga mungesa e informacionit.

Top Channel