Shpërthimi në Ditën e Krishtlindjeve/ Nashville, policia identifikon autorin

28/12/2020 13:07

Autoritetet amerikane identifikuan personin që thonë se është përgjegjës për shpërthimin në qytetin Nashville, në Ditën e Krishtlindjeve.

Bëhet fjalë për Anthony Quinn Warner-in, 63 vjeç. Hetuesit thanë se ai ka humbur jetën nga shpërthimi. Ata konstatuan se ADN-ja e mbetjeve njerëzore, të gjetura në vendin e shpërthimit, i përkiste Warner-it. Autoritetet thanë se besojnë se ai ka vepruar i vetëm, por ato nuk e kanë zbuluar ende motivin që mund të fshihet pas bombardimit.

I pyetur nga gazetarët nëse shpërthimi mund të konsiderohet si terrorizëm i brendshëm, agjenti i posaçëm i FBI-së, Douglas Korneski, tha:

“Nuk mund të komentoj në këtë pikë”.

Sulmi i 25 dhjetorit la tre persona të plagosur dhe shkatërroi disa ndërtesa historike. Bill Lee, guvernator i shtetit Tenezi, ku ndodhet Nashvill, tha se “është mrekulli që askush nuk është vrarë”.

Top Channel