Varianti i ri i Covid-it zbulohet edhe në Suedi/ Zyrtarët e izolojnë menjëherë

27/12/2020 11:57

Varianti i ri i koronavirusit që po qarkullon në Britani u zbulua edhe në Suedi.

Një udhëtar nga Mbretëria e Bashkuar u sëmur pas mbërritjes në vend dhe rezultoi pozitiv, deklaroi Agjencia Suedeze e Shëndetësisë. Autoritetet thanë se udhëtari, i cili nuk është identifikuar me emër, u vendos menjëherë në karantinë pas mbërritjes në Suedi. Sipas tyre, deri tani nuk është zbuluar asnjë rast tjetër pozitiv me këtë variant që përshkruhet si shumë më infektues.

Në Francë, Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se një francez, i cili kohët e fundit kishte mbërritur nga Londra ishte testuar pozitiv për virusin e ri, që është përhapur me shpejtësi në Anglinë e Jugut, dhe deri tani, besohet të jetë gati 70% më ngjitës se shtamet e tjera në qarkullim. Frika nga kjo formë e re e sëmundjes shtyu disa vende të  Bashkimit Evropian të vendosnin kufizime për udhëtarët nga Britania.

Duke filluar nga e hëna, edhe qeveria amerikane do të kërkojë që të gjithë pasagjerët e linjave ajrore që nisen nga Mbretëria e Bashkuar të testohen për koronavirus, 72 orë para nisjes.

Top Channel