Vaksinimi anticovid në Greqi/ Presidentja Sakelaropoulou, personi i tretë që merr dozën e Pfizer-BioNTech

27/12/2020 17:26

Presidentja greke Katerina Sakelaropoulou është personi i tretë në Greqi që vaksinohet kundër covid-19 në spitalin Evangjelismos të Athinës.

Pak më vonë në një spital tjetër të kryeqytetit grek ka kryer vaksinën edhe kryeministri Kyriakos Mitsitakis duke dhënë mesazhin e klasës politike të vendit për sensibilizimin edhe të atyre që ende janë të pavendosur të vaksinohen.

 “Besoj se sot të gjithë greket dhe grekët po buzëqeshim nën maskat tona, pasi filloi edhe në atdheun tonë detyra e vështirë e vaksinimit masiv të popullsisë greke me vaksinën kundër Covid 19.”

“Këtë Krishtlindje, shkenca na dha dhuratën më të madhe. Të gjithë studiuesit në të gjithë botën që punuan shumë ditë e natë duke u përpjekur të shpërndanin me kohë vaksinën për të luftuar pandeminë.”

Duke bërë shenjën e fitores drejt kamerave Efstathia Kambissiouli infermiere e repartit të terapisë intensive ka kryer e para vaksinën në Greqi duke hapur zyrtarisht operacioni kombëtar për vaksinimin e popullsisë me emrin e koduar “Liria” , ndërsa personi i dytë ka qenë 88 vjeçarit Michalis Giovanidis. Pas dy figurave më të larta politike të shtetit është vaksinuar kryespecialistit i komisionit të pandemisë,  SotirisTsiodras, kryetari i parlamentit Konstandinos Tasiulas , lideri i partisë opozitare Mera25 Janis Varufakis , shefi i shtabit të përgjithshëm të Forcave të Armatosura dhe mitropoliti Nafpaktos që përfaqëson kryepeshkopin e Greqisë.

Gjate ditës së hënë vaksinohen kreu i partisë opozitare  Syriza Aleksis Tsipras dhe ministri i shëndetësisë Vasilis Kikilias , ndërsa po gjatë kësaj dite përveç se në Athinë, do vazhdojnë vaksinimet në spitalet e Selanikut, Larisës , Patrës dhe Janinës me 9700 dozat e para që kanë mbërritur. Gjatë kësaj jave priten edhe 83.850 doza të kompanisë Pfizer-BioNTech e cila do të sjellë sipas marrëveshjes  deri në fund të marsit 1.265.550 doza të tjera. Ndërkohë në janar do të merren edhe vaksina nga kompanitë e tjera Moderna dhe Astra Zeneca. Operacioni kombëtar i vaksinimit pritet të zgjasë 6 muaj dhe synon të vaksinohet rreth 70% e grekëve  në mënyrë që të arrihet imuniteti i popullatës.

Top Channel