Greqi/ Publikohet në fletoren zyrtare dhe hyn në fuqi dekreti presidencial për mbylljen e gjireve

27/12/2020 20:23

Me një njoftim në faqen zyrtare të saj Ministria e Jashtme greke bën me dije se prej datës 27 dhjetor 2020 hyn ne fuqi  Dekretit Presidencial për mbylljen e gjireve dhe zbatimin e parimit të vijës së drejtë në këto gjire në rajonin e Detit Jon, te ishujve veriore të tij e deri në Kepin Tainaro në Peloponez.

Lajmi i hyrjes në fuqi të dekretit presidencial është publikuar në Fletoren e Qeverisë ku duken qartë edhe përcaktimi i  koordinatave gjeografike të mbylljes së gjireve në zonën detare të Jonit.

“Dekreti Presidencial u lëshua në përputhje me ligjin e ratifikimit të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 mbi Ligjin e Detit. Ai është  një hap i domosdoshëm për procesin e zgjerimit të zonës bregdetare të vendit në zonën e detit Jon , veprim i cili, sipas Konventës, është një e drejtë e patjetërsueshme e Greqisë” –theksohet ne njoftimin e ministrisë.

Gjithashtu Dekreti Presidencial  thekson se Greqia rezervon të drejtën të ushtrojë të drejtat e saj përkatëse në rajonet e tjera të territorit të saj, pasi ato rrjedhin nga Konventa për Ligjin e Detit.

Njoftimi i ministrisë së Jashtme  nënvizon edhe njëherë së Greqia, e vendosur në mënyrë rigoroze për mbrojtjen e së drejtës ndërkombëtare, përfshirë ligjin e Detit, gjithmonë vepron në përputhje me të Drejtën Ndërkombëtare.

Siç bëjnë me dije burime diplomatike greke hapi i mëtejshëm në ditët e ardhshme është formulimi i ligjit për zgjerimin nga 6 në 12 milje detare, ratifikimi i tij nga parlamenti grek dhe hyrja e tij ne fuqi.

Kjo do ti hapë rrugë edhe procedimit të marrëveshjes mes Athinës dhe Tiranës për të apeluar së bashku në Hagë për përcaktimin e kufijve detare, për të cilën kanë rënë dakord politikanët e të dy vendeve .

FOTO GALERI
2/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA