Pjesëmarrje e vogël gjatë meshës së Krishtlindjes në Betlehem

26/12/2020 08:38

Mesha e Mesnatës së Krishtlindjes u mbajt në Kishën e Lindjes në qytetin Betlehem me pjesëmarrje të kufizuar prej pandemisë së COVID-19.

Një numër banorësh dhe një grup i vogël zyrtarësh fetarë morën pjesë në meshë.

Ajo drejtohej nga patriarku latin i Kudsit, kryepeshkopi Pierbattista Pizzaballa, me ç’rast tha: “Ne e festojmë këtë vit në rrethana të vështira të imponuara nga pandemia e koronavirusit”.

“Të krishterët e Palestinës po jetojnë në kushte të vështira mes një të ardhme të panjohur, ne i lutemi Zotit që t’i drejtojë politikanët për të mirë”, shtoi ai.

Këtë vit nën bllokimin e koronavirusit, presidenti palestinez Mahmoud Abbas së bashku me zyrtarët e lartë palestinezë dhe ambasadorët në Palestinë nuk morën pjesë në meshë.

Në një fjalim televiziv, Abbas tha: “Pavarësisht nga praktikat e okupimit (izraelit) dhe kolonëve, ne jemi të palëkundur dhe të sigurtë për fitoren”.

Abbas gjithashtu shprehu pakënaqësi për shkak të mundësive të kufizuara për të marrë pjesë në meshë dhe u lut për mbrojtjen e popullit palestinez nga virusi.

Betlehemi është një qytet antik dhe historik që është i shenjtë për të krishterët në të gjithë botën pasi besohet të jetë vendlindja e Jezu Krishtit.

Top Channel