Miliarderët e rinj/ ‘Ngrihen’ prodhuesit e vaksinave

26/12/2020 02:50

Aksionet në fluturim të bërësve të vaksinave kanë krijuar një valë të re miliarderësh duke ngritur pikëpyetje për fituesit e mëdhenj të pandemisë në një kohë kur rimëkëmbja shihet e largët dhe e vështirë.

Rritja e aksioneve të BioNtech, kompanisë bioteknologjike gjermane partnere me Pfizer në vaksinën e saj, ka bërë që pasurisë së drejtuesit dhe themeluesit të saj, Ugur Sahin t’i shtohen 4 miliardë dollarë. Ai është tani personi i 451-të më i pasur në botë sipas indeksit të miliarderëve të Bloomberg me 5.5 miliardë dollarë. Dy investitorë të hershëm në Biontech, kanë arritur akoma më shumë.

Binjakët gjermanë Tomas dhe Andreas Strungmann, kanë shtuar nga 8 miliardë dollarë në pasuritë e tyre këtë vit duke bërë që secili prej tyre të blejë rreth 12.7 miliardë dollarë. Edhe Moderna, kompania e ilaçeve me bazë në Massachusetts, që ka prodhuar një vaksinë të sajën, ka parë që aksionet t’i rriten më shumë se tetë fish këtë vit duke sjellë në listë të paktën tre miliarderë të rinj. Drejtuesi i modernas, Stephane Bancel, fitoi 4.8 miliardë dollarë këtë vit duke e çuar pasurinë e tij në 5.3 miliardë.

Profesori i Harvardit, Tim Springer, që bëri një investim 5 milionë dollarësh tek Moderna në 2010, dhe tani ka fituar më shumë se 2 miliardë nga rritja e saj. Edhe pse thotë se ai vazhdon të shkojë me biçikletë çdo dit në universitet dhe bën një jetë modeste.

Ai ka thënë se do t’ia japë një pjesë të pasurisë një instituti të ri kërkimesh. Më pëlqen kopështaria dhe koleksionimi i gurëve – thotë ai – nuk kam nevojë për para. Dhe profesori i MIT Robert Langer, është bërë miliarder po ashtu me mbi 1.5 miliardë dollarë të fituara nga Moderna.

Top Channel