“Digjitalizo një nxënës” nisma e re në mbështetje të mësimit online

26/12/2020 15:01

Në këtë periudhë të vështirë pandemie, kur mësimi në shkolla zhvillohet i alternuar edhe online, Parlamenti i nxënëseve ka nismuar një ide interesante për t’u ardhur në ndihmë të gjithë nxënësve.

Nisma “Digjitalizo një nxënës” është ideja më e re, e mbështetur nga Bashkisë së Tiranës, e cila synon që, përmes solidaritetit, të ndihmojë nxënësit për të pasur mjetet e duhura për të ndjekur mësimin në platformat digjitale. Nisma e ideuar nga Parlamenti i nxënësve ka nisur me gjimnazin “Sami Frashëri”, ku dy nxënësit e parë të saj përfituan nga një tablet, i cili do t’u vijë në ndihmë për mësimin online.

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ftoi këdo që ka mundësi t’i bashkohet nismës, që të bëhet pjesë e një akti solidariteti në këto kohë të vështira edhe për fëmijët, të cilët u duhet ta zhvillojnë mësimin online për shkak të pandemisë.

“Jam shumë krenar për ju, është një ide fantastike! Më mirë të flasim me shembuj, se sa me fjalime pafund. Fakti që Parlamenti i Nxënësve ka vendosur të jetë praktik duke propozuar një nismë konkrete, ku një nxënës ‘adopton’ një nxënës tjetër duke i dhuruar një tabletë digjitale – dikush mund ta ketë të përdorur, dikush e ka të re, ose dikush që i ka mundësitë ekonomike blen edhe një për vete, edhe një për shokun a shoqen – por, kur secili përfshihet në një nismë të tillë, mund ta quajmë një histori suksesi. Është vërtet gëzim i madh të marrësh, por jam i bindur se është edhe shumë gëzim të japësh  e ndoshta, më gëzim është të japësh se sa të marrësh”, tha Veliaj.

Përfaqësuesja e Parlamentit i nxënësve, Ersa Fero, tha se nismës pritet që t’i bashkohen edhe mjaft qytetarë e biznese. “Me ndihmën e bashkisë kemi bërë shpërndarjen e tabletave të para, por shpresojmë shumë që në këtë frymë festash, të dhurojmë edhe shumë pajisje të tjera. Mund të bëheni pjesë duke dhuruar qoftë edhe një pajisje digjitale, e cila nuk është më funksionale, por mund të vlejë për dikë pasi riparohet. Në rast se jeni biznes, mund të bëheni donatorë në këtë nismë, për ta nisur sa më mbarë vitin 2021”, tha Fero.

Top Channel