Pamje nga vendngjarja

Ngjarja e mbrëmjes së djeshme, ku një 52-vjeçar deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri nga persona të paidentifikuar është zbardhur ditën e sotme.

52-vjeçari kishte gënjyer për të mos u arrestuar pasi po drejtonte kamionçinën i dehur. F.Z. po udhëtonte në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës.

Pasi i është bërë testi ai ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l.

Njoftimi i policisë:

Dibër/ Deklaroi në spital se ishte plagosur me armë zjarri, zbardhet ngjarja dhe vihet në pranga për deklarim të rremë. Në orët e mbrëmjes  së datës 25.12.2020, shtetasi F. Z., është paraqitur për ndihmë mjekësore në qendrën shëndetësore Maqellarë, i cili pretendonte se ishte plagosur me armë zjarri nga disa persona të pa identifikuar. Menjëherë është ngritur një grup i posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes dhe nga veprimet e shpejta  e profesionale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë ka rezultuar se në aksin rrugor Shupenzë-Maqellarë, shtetasi F. Z., duke drejtuar automjetin tip ‘kamionçinë’, në gjendje të dehur  dhe në sens të kundërt të rrugës, në momentin që ka zbritur nga automjeti, është dëmtuar  në pjesën e këmbës dhe ka qëndruar në mes të rrugës. Shtetasit F. Z., i është bërë testi i alkoolit me aparatin Drager, i cili ka rezultuar në gjendje të dehur në masën 0.61 mg/l. Në përfundim të  veprimeve të para hetimore, nga specialistët e Policisë Rrugore, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit : F. Z., 52 vjeç, banues në Majtarë, Dibër për veprat penale “Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt” dhe “Kallzim i rremë”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Dibër për  veprime të mëtejshme.

Top Channel