Ujërat e zeza pushtojnë  shkollën 9-vjeçare “Vajdin Lamaj” në Domje

25/12/2020 21:00

 Në Fiks Fare u ankua një ish mësues i shkollës 9 vjevçare “Vajdin Lamaj” në Domje , pasi shkolla ku ai kishte punuar për vite me radhë ishte mbytyr nga ujërat e zeza . 

Ai tregon për Fiks Fare se fëmijët dhe prindërit që i shoqërojnë  ata ecin mbi këto ujëra të zeza sa herë hyjnë e dalin nga shkolla. Kjo problematik nuk është vetëm për  shkollën 9 vjeçare, por edhe kopshtin që është mbrapa saj.

Fiks Fare pa nga afër gjendjen në këtë shkollë.  Në  rrugën që të çon drejt saj dhe kopshtit ishin kanale të zbuluara të ujërave të zeza të cilat kryqëzonin rrugën.Mbi këto derdhje  ishin vënë dërrasa që fëmijët të kalonin. Po ashtu edhe kanali i madh ku derdheshin ujërat e zeza ishte i  pambuluar. Gazetarët filmuan fëmijët të cilët në pushim apo para se të fillonin procesin mësimorë luanin apo edhe hanin  ushqimet e marra me vete pikërisht në këtë ambient. Situata bëhet edhe më serioze për ditët që po jetojmë, për shkak të pandemisë covid-19.

Edhe vetë fëmijët pohojnë për Fiksin se ka disa kohë që është kjo situatë, madje më rëndë  bëhej kur binte shi. Ata erën e keqe të fekaleve e ndjenin edhe brenda në klasat e tyre.

Fiksi u mundua të merrte një intervistë nga drejtori i kësaj shkolle, por ai mohoi që të kishte probleme brenda territorit të shkollës. Ndërkohë që Fiksi i tregon se edhe në brendësi të oborrit të shkollës ka rrjedhje të ujërave të zeza , drejtori kërkon të konsultohet me kolegët dhe nuk kthehet më.

Fiks Fare iu drejtua me një kërkesë edhe Bashkisë Vorë, pasi ish mësuesi që denoncoi rastin u shpreh se ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimeve Vorë  e njoftuar nga ai , kishte qenë në terren dhe e kishin inspektuar gjendjen. Por që ende nuk ishte marrë ndonjë masë. Fiksi depozitoi një kërkesë në lidhje me situatën pranë zyrës së informacionit të kësaj bashkie, por që ende nuk ka marrë përgjigje.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA