Siguria ushqimore gjatë festave/ Në Gjirokastër bien blerjet dhe çmimet

25/12/2020 12:19

Në tregun kryesor të qytetit të Gjirokastrës në prag të festave duket se numri i blerësve nuk është i lartë megjithatë çmimet këtë vit janë gati të përgjysmuara në krahasim me vitin e kaluar sipas shitësve të perimeve dhe të frutave ndërsa çmimi i mishit dhe bulmetit është në nivelin e vitit të kaluar megjithatë kemi një rënie të konsiderueshme të fuqisë blerëse.

“ Vjet ishte molla 1700 lekë, sivjet 700 deri në 1000 por edhe me 500 gjen. Çmimet janë pothuaj gjysëm për gjysëm. Preshi vjet ishte me 1000 lekë sivjet me 600 ose 700 por nuk ka fuqi blerëse. “

“Këtë vit ka pak rënie nga Covidi por dhe kaq sa thonë njerëzit që ka rënë blerja nuk jam dakord. Njerëzit po konsumojnë. Unë për veten time jam i kënaqur.

A janë më të kujdesshëm njerëzit për sigurinë e ushqimit?

Patjetër që janë tek unë kanë siguri që vijnë.”

Këtë vit po evitohen në maksimum blerjet pranë shitësve ambulantë ndërsa edhe kontrollet gjatë ditëve të fundit janë të shtuara lidhur me sigurinë ushqimore.

“ Do festojmë me njerëzit e shtëpisë. Na dhanë dhe nga 50 mijë lekë kështu që po blej ca mish tani. Për sigurinë dimë ku të blejmë, nuk vemi në njerëz të panjohur kështu që jemi të aftë të zgjedhim zarzavatet dhe ushqimet e tjera mjafton të jenë të freskëta.”

“ Interesi i dobët por çmimet mirë janë. Në shtëpi do qëndrojmë. Unë dal vetëm për të bërë pazar se ku të vesh në 8.30 mbyllet çdo gjë. Edhe në ditë të tjera mua nuk më lënë fëmijët të dal se jam me diabet”

Janë më shumë se 50 kontrolle të kryera në prag të festave për sigurinë ushqimore.

Armand Hilaj AKU Gjirokastër: Kemi hasur një sërë problematikash me dokumentacionin e disa subjekteve dhe i kemi paralajmëruar të marrin masa sipas ligjit. Ka 6 subjekte për të cilat janë marrë masa ndërsa kontrollet do vazhdojnë edhe përgjatë festave.”

Edhe përgjatë ditëve të festave kontrollet do të jenë të shtuara megjithëse qytetarët do të festojnë në shtëpi për shkak të kufizimeve.

Top Channel