SHBA/ Pacienti i Covid-19 vret shokun e dhomës në spital me bombolën e oksigjenit

25/12/2020 18:06

Një burrë 82-vjeçar është goditur për vdekje me bombolën e oksigjenit, nga një tjetër pacient me të cilin ndante dhomën e spitalit në Kaliforni, ku po kuroheshin për koronavirusin.

Autoritetet njoftuan sot ngjarjen e rëndë të fundjavës në spitalin e Antelope Valley.

Zyra lokale e sherifit tha se incidenti kishte ndodhur kur viktima kishte nisur të lutej, çka kishte zemëruar pacientin që ishte në dhomë me të, i identifikuar si 37 vjeçari Jesse Martinez, i cili goditi burrin më të vjetër me bombolën e oksigjenit rreth orës 9:45 të mëngjesit.

Viktima nuk është identifikuar ende publikisht, teksa një zëdhënës i spitalit tha se nuk mund të komentohet mbi një hetim në zhvillim.

Martinez është arrestuar dhe akuzuar për vrasje urrejtjeje dhe abuzim me të moshuarit.

Kjo nuk ishte hera e parë që një person vritet në spital gjatë pandemisë, sidomos në SHBA ku ambjentet mjekësore janë të tejmbushura me pacientë dhe me staf të pakët mjekësor.

Në prill një grua 86 vjeçare u vra në spitalin Woodhull Medical në Brooklyn kur një tjetër pacient e shtyu me forcë për mos-zbatim të rregullave të distancimit social.

FOTO GALERI
1/4
Një burrë 82-vjeçar është goditur për vdekje me bombolën e oksigjenit, nga një tjetër pacient me të cilin ndante dhomën e spitalit në Kaliforni

Top Channel