Rama – Manastirliu urojnë mjekët e infektivit për Krishtlindje:  Mirënjohje për punën heroike, vaksina për ju në fillim të vitit

25/12/2020 14:04

Kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu kanë uruar fetën e Krishtlindjes nga Spitali Infektiv në QSUT.

Në mesazhin drejtuar mjekëve Rama dhe Manastirliu kanë vlerësuar punën në këto 10 muaj, duke shprehur mirënjohje dhe falenderime ndaj punonjesve të sistemit shëndetësor.

“Po bëni bëjnë një punë heroike me përkushtim, profesionalizëm në këtë vit të pazakontë. Shpresojmë që vitin tjetër do të jetë shumë më mbarë dhe me plot shëndet për të gjithë. Dua që nga zemra dua t’ju urojë personalisht secilin prej jush, shëndet edhe mbaresi për vitin tjetër. Do të jemi gjithmonë bashkë, këto 10 muaj kanë qenë të vështirë dhe jemi përballuar më sfida jo të vogla, mirënjohje për të gjithë”, tha Manastirliu.

Kryeministri Rama dhe ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu siguruan mjekët dhe infermirët se në fillim të vitit  që vjen do të vijë dozat e para të vaksinës antiCOVID dhe vaksinimi do të fillojë prej tyre.

“Jam shumë i kujdeshëm me fjalët, por jemi shumë afër përmbylljes së një marrëveshjeje për vaksinën. Kështu që në fillim të vitit do të kemi edhe dozat e para, që sigurisht janë për ju. Ju do vaksinoheni shumë shpejt, cështje javësh besoj. Është në fakt situatë shumë e vështirë edhe për faktin se këto vendet e mëdha dozat që po marrin janë shumë më pak nga sa kishin parashikuar, sepse baza prodhuese SHBA, presidenti i SHBA ka vendosur ndalimin e eksportit të cdo doze, kështu që pjesa tjetër e bazës që është jashtë SHBA, ka më pak doza dhe për fillimin është problem”, nënvizoi kryeministri Rama.

Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu zgjodhën drekën e Krishtlindjes për të ndarë urimin e kësaj dite shprese me mjekët e shërbimit infektiv.

Top Channel