Ministri i Shëndetësisë në Kosovë, Armend Zemaj ka thënë se lakorja e infeksionit të qytetarëve me COVID-19 është duke rënë.
Zemaj përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se këtë javë janë vetëm tetë komuna në zonën e kuqe, nga trefishi i fillim muajit dhjetor.
“Lakorja e infeksionit është në drejtimin e duhur të rënies andaj të vazhdojmë edhe më tej me respektim të masave nga qytetarët dhe mbikëqyrje nga institucionet relevante. Në bazë të numrit të të infektuarve gjatë javës për 100.000 banorë, kemi ndryshim në kategorizim të zonave. Në zonën e kuqe, këtë javë janë vetëm 8 komuna nga trefishi i fillim muajit dhjetor”, ka thënë ai.
Zemaj tregoi se cilat janë komunat në tri zonat e kategorizuara nga kjo ministri.
“Në zonën e kuqe janë: Prishtina, Fushë Kosova, Obiliqi, Mitrovica e Jugut, Mitrovica e Veriut, Podujeva, Zveçani dhe Zubin Potoku. Në zonën e verdhë janë 11 komuna: Kamenica , Gjakova, Gjilani, Peja, Vushtrria, Ferizaj, Shtërpca, Leposaviqi, Lipjani, Graçanica dhe Novobërda. Ndërsa në zonën e gjelbër janë 19 komuna: Drenasi, Klina, Hani i Elezit, Shtimja, Suhareka, Skenderaj, Malisheva, Parteshi, Rahoveci, Prizreni, Deçani, Kaçaniku, Juniku, Dragashi, Mamusha, Kllokoti, Vitia, Istogu dhe Ranillugu”, ka shkruar ministri Zemaj.
Ai gjithashtu potencoi se pavarësisht masave të përgjithshme, kategorizimi i komunave do të vazhdoj, ndërsa kujdesi duhet të rritet.
“Ndërsa sa i përket situatës epidemiologjike, brenda 24 orëve të fundit nga 1,048 mostra të marra, 249 raste kanë rezultuar pozitivë, ndërsa kemi 538 të cilët e kanë fituar betejën me COVID-19. Bashkë ia dalim”, ka shkruar ndër të tjera Zemaj në rrjetin social në Facebook.
Top Channel