“Vaksina, dhuratë e veçantë”/ At Nikolla Petani, urim për Krishtlindje: Kremtojmë me dhimbje për ata që kanë ndërruar jetë

24/12/2020 11:56

“Këtë vit, Krishtlindjen do ta kremtojnë pa festime, pa u mbledhur familjarisht ose me miq të shumtë, por edhe pa pjesëmarrjen e gjerë të besimtarëve në ceremonitë adhuruese”, u shpreh ndër të tjera, famullitari i Kishës Ortodokse në Shkodër, At Nikolla Petani.

Teksa shpërndau urimin e tij për Krishtlindje, At Nikolla Petani tha:

“Në të njëjtën kohë, kufizimet për shkak të pandemisë do të kenë edhe disa efekte anësore pozitive. Para së gjithash ky është një rast për të vlerësuar se sa shumë rëndësi ka në jetën tonë shpirtërore dhe shoqërore, ato gjëra që besimtarët i konsiderojnë të vetëkuptueshme si: mundësia për të shkuar në kishë kur duam ne. Këtë herë bëhet fjalë për një tjetër lloj kreshme, të imponuar nga kushtet e jashtme. Do ta kremtojmë me thjeshtësi, por edhe me dhimbje për ata që kanë ndërruar jetë, të vetmuar dhe për sa mbijetuan mes hidhërimit nga vështirësitë e shumëllojshme. Duke pasur më shumë shpresë është diçka simbolike, si për shembull vaksina që pritet të japë zgjidhje për të dalë nga robëria e shumanshme e koronavirusit vjen në jetën tonë si një dhuratë e veçantë e kësaj Krishtlindjeje”.

Top Channel