Top Talk/ Ironia therëse e Kullurit: Nëse fiton PD duhet të zhvendosim Kullën Eifel në New York

24/12/2020 17:50

Në diskutimin e sotëm në Top Talk, politikani Edvin Kulluri deklaron se Lulzim Basha nuk ka asnjë mundësi që të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. “Nese zoti Basha fiton, duhet të spostojmë kullën e Eifelit në New York”- shprehet ai me batutë.

Edvini Kulluri, ish anëtar i këshillit kombëtar të PD-së njihet si një nga kritikët më të ashpër të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Kulluri kundërshton mënyrën e përzgjedhjes së kandidatëve për deputet në zgjedhjet e prillit:

Kjo është rrumpallë tipike e Lulzim Bashës, e cila e mbivendosur me të gjitha rrumpallat nga viti 2013 deri sot ka sjellë këtë kaos. Mënyra si u bë lista e 2017-ës dhe ky procesi i sotëm tregojnë amullinë në të cilën ndodhet procesi i selektimit të kandidaturave”- thotë Kulluri.

Deklaratën e ish- ministrit të brendshëm, Bujar Nishani që akuzon ish- deputetin e PD-së si anëtar të Sigurimit të shtetit, Kulluri e konsideron të papranueshme. “Një ish-zyrtar i lartë nuk mund te flasë për dosje dhe të përdorë në publik dosje, sepse mua si ish- zyrtar i qeverisjes së PD-së më ngre dyshime të mëdha se çfarë ka ndodhur në atë kohë(dosjet jane te klasifikuara). Kjo është një pikëpyetje që zoti Nishani duhet të japë shpjegime. A duhet të përdoren dosjet e shtetit për të shantazhuar kolegët e tu”.

Sipas Kullurit, para zgjedhjeve duhet të merremi me kundërshtarin ndërkohë që “ne po bëjmë muhabet rrugësh këtu, procesi i përzgjedhjes  së kandidaturave sot është katandisur në një lum akuzash; spiun, qen mace, bashkëpunëtor i Ramës, i korruptuar. Procesi dhe komisioni kanë dështuar në mënyrë spektakolare. Njëri nga anëtares e komisionit është shprehur se Berisha nuk duhet të jetë më pjesë e parlamentit, që nuk ka qenë fare objekt i këtij komisioni”.

Bindjen se e djathta nuk mund ti fitojë zgjedhjet, politikani e shpjegon me faktin se, modeli që partia po ndjek nuk është aspak demokratik: “Jo vetëm nuk është demokratik,është krejtësisht subjektiv”.

 

Top Channel