Pandemia Covid-19 vijon të ushtrojë presion mbi ekonominë e vendit. Pavarësisht efekteve më të zbutura, të dhënat zyrtare të INSTAT tregojnë se në tremujorin e tretë ekonomia u tkurr me 3.4%, pas rënies së thellë më 10.2% që shënoi në tremujorin e dytë, kur ekonomia ishte plotësisht në karantinë.

Goditjen më të madhe në ngadalësimin e ekonomisë edhe gjatë muajve korrik-shtator kur ekonomia ishte tërësisht e hapur e ka dhënë konsumi i dobët, diçka e paralajmëruar më herët edhe nga ekspertët.

Tregtia, shërbimet dhe transporti janë edhe degët që kanë ndikuar më negativisht në rënien ekonomike, teksa edhe bujqësia ka ndalur hovin këtë tremujor pas ecurisë pozitive që shënoi në tremujorin e dytë.

Dy sektorët që vijojnë t’i rezistojnë efekteve të krizës së koronavirusit janë ndërtimi dhe pasuritë e paluajtshme, të cilët kanë parë sërish një rritje përkatësisht me 0.7% dhe 0.5%, dy degë që nuk kanë stopuar as gjatë karantinës kur ekonomia ishte e bllokuar.

Ndërkaq, rritje ka shënuar edhe shëndetësia në këtë periudhë si rezultat i shpenzimeve të larta që janë bërë në këtë sektor në kuadër të emergjencës Covid-19.

Top Channel