Ndryshimi i orës policore/ Boshatiset qyteti i Korçës, mbyllen qepenat e bizneseve!

24/12/2020 21:51

Ora 20:30 e mbrëmjes së sotme i ka gjetur rrugët e qytetit të Korçës totalisht të boshatisura, ndërkohë që ka forca të shumta policie në rrugica.

Si rrallë herë, në një prej qyteteve simbol të kësaj feste, zona që ka qenë e tejmbushur nga prezenca e të huajve dhe banorëve të këtij qyteti për festën e Krishtlindjeve, këtë vit është totalisht bosh!

Në zonën e Pazarit të vjetër, si rrallë herë të gjitha hotelet dhe restorantet janë të mbyllura, nuk ka asnjë lëvizje, është vetëm dekori festiv që sjell atmosferën e festave.

Kujtojmë se këto masa do të jenë në fuqi deri në datën 4 janar. Më 5 janar do të rikthehet orari i vjetër i kufizimeve nga ora 22:00 deri në 06:00 të mëngjesit. Vendimi u mor nga Komiteti Teknik i Ekspertëve, si një masë për të parandaluar grumbullimet për festat e fundvitit, që mund të çonin në përhapjen e mëtejshme të virusit të Covid-19.

Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania.

Për baret dhe restorantet do të lejohet vetëm shërbimi në banesë. Komiteti teknik rekomandoi të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet jo thelbësore si dhe aktivitetet jo thelbësore.

Top Channel