Linjë energjie drejt Maqedonisë/ Rama: Do zgjerojmë tregun edhe me Italinë dhe Malin e Zi

24/12/2020 19:36
Kryeministri i vendit, Edi Rama

Pas nisjes së punës së linjës së interkonjeksionit me Kosovën, është në kantier ndërtimi edhe linja me Maqedoninë e Veriut.

Këtë e bëri të ditur kryeministri Edi Rama në konferencën e radhës “Ekonomia në fokus”, ndërsa shtoi se po shikohet mundësia e zgjerimit të tregut edhe në drejtim të Malit të Zi dhe Italisë fqinje.

Ky zhvillim kaq i rëndësishëm mes dy shteteve tona dhe nga ana tjetër dhe projekti i linjës me Maqedoninë janë pjesë e një tërësie ndryshimesh të mëdha që po ndodhin përfshirë këtu edhe kushtet për themelimin e bursës shqiptare të energjisë që nisi me ndryshimet ligjore të 2018 dhe pastaj me nënshkrimin e marrëveshjes mes operatorit shqiptarë dhe atij të Kosovës të shpërndarjes, duke sjellë një etape të re në sektorin e energjisë. Jemi në një proces të zgjerimit të tregut me Italinë dhe Malin e Zi, duke pasur parasysh që rrjetet e energjisë po zhvillohen gjithmonë e më shumë”, tha Rama.

Qeveria ka shprehur angazhimin për të çuar më tej reformën në sektorin energjetik. Ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku tha se pas Karavastasë dhe Spitallës, do të hapet së shpejti një tjetër ankand për një park të ri diellor në vend.

Belinda Balluku, ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë: “Po planifikojmë një projekt të ri. Së shpejti do të kemi një tjetër ankand për park fotovoltaik. Ekspertët po kryejnë studimin për të parë zonën ku është e nevojshme ngritja e këtij parku për të definuar më pas të gjitha detajet.”

Teksa ka pranuar se prodhimi i energjisë elektrike mbetet ende një sfidë e madhe, Balluku shprehu bindjen se me ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës dhe ndërtimin e parqeve diellore, Shqipëria do të kthehet në një fuqi eksportuese të energjisë elektrike.

Top Channel